VV kërkon shkarkimin e Aida Dërgutit

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shkarkimin e Aida Dërgutit nga posti i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, për shkak se kjo pozitë i takon këtij subjekti politik.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkesën e ka bërë deputetja Albulena Haxhiu e cila ka thënë se ky subjekt politik nuk do të votojë projektligje në Kuvend në rast se nuk sigurohen votat për shkarkimin e nënkryetares Dërguti.

“Ne si grup parlamentar kemi pritur nga znj. Dërguti që në momentin që ka dhënë dorëheqje nga grupi parlamentar  do ti lë të gjitha pozicioni që i mban në grupin parlamentar mirëpo kjo nuk  ka ndodhur. Pozitën që znj. Dërguti e mban është jo kushtetuese”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu tha se mos shkarkimi i nënkryetares Aida Dërguti po i konvenon Kryesisë së Kuvendit dhe krye parlamentarit, Kadri Veseli.

“Është e qartë që dikujt brenda kryesisë së kuvendit ndoshta edhe kryetarit të Kuvendit nuk po i konvenon  që ta ketë një përfaqësues të Vetëvendosjes aty për shkak se më pas do ta ketë më problem kryesimin e mbledhjeve të komisionit. Ne kërkojmë që ky pozicion sipas kushtetutës , ti epet Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi Haxhiu.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ia bëri me dije deputetes Haxhiu se kërkesa e saj është në pikat e rendit të ditës që pritet të shqyrtohet sot.

“Këtë çka e kërkoi kolegia tashmë është në rend të ditës sot përmes procedurave shkojmë në këtë ose atë. Lufta politike zhvillohet pikërisht këtu në Kuvend, është simpatike kjo”, tha Veseli.

Ndërsa deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i cili ishte pjesë e Vetëvendosjes deri para pak muajsh, shfrytëzoi Facebook-un për ta denoncuar kërkesën e ish- partisë së tij.

“VV sapo deklaroi që nuk do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare të Kosovës, pa u hedhur në votim shkarkimi i Aida Dergutit nga nënkryetarja Kuvendit. Kush po lufton për pozita këtu?! Kush qenka në gjendje me e demtu interesin shtetëror për shkak të një pozite?”, pyeti deputeti Krasniqi.

Deputetja Aida Dërguti së bashku me 11 deputetë të tjerë, në shenjë pakënaqësie ishin larguar nga Lëvizja Vetëvendosje për tu krijuar fillimisht si Grup i Deputetëve të Pavarur. Së fundmi, këta deputet i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate që deri më sot është udhëhequr nga kryetarja Kaqusha Jashari.