NATO i përshkruan "referendumet" në territoret ukrainase si "përpjekje flagrante të Moskës për pushtim territorial"

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se hetuesit e saj kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë, duke i përfshirë bombardimet e zonave civile, ekzekutime të shumta, tortura dhe dhunë të tmerrshme seksuale.

Ekipi prej tre ekspertësh të pavarur i kishte nisur hetimet fillestare duke i parë zonat e rajoneve të Kievit, Chernihiv, Kharkiv dhe Sumy, ku ata “u goditën nga një numër i madh ekzekutimesh në zonat që vizituam” dhe “shenjat e dukshme të ekzekutime në trupa, si duar të lidhura pas shpine, plagë me armë zjarri në kokë dhe prerje fyti”.

Radha të gjata automjetesh vazhduan të formoheshin në pikat kufitare të Rusisë në ditën e dytë të plotë të mobilizimit ushtarak të Vladimir Putin. Njoftimi i presidentit për mobilizimin e parë që nga Lufta e Dytë Botërore ka çuar në një nxitim midis burrave të moshës ushtarake për t’u larguar nga vendi, me disa burra që presin më shumë se 24 orë ose përdorin biçikleta dhe skuterë për ta kapërcyer radhën e gjatë të kilometrave. Trafiku në Finlandë përgjatë kufirit të saj juglindor me Rusinë vazhdon të jetë i ngarkuar, ka deklaruar forca kufitare finlandeze.

Ministrat finlandezë të premten në mbrëmje njoftuan se qeveria finlandeze do t’i ndalojë turistët rusë t’i kalojnë kufijtë e saj gjatë ditëve të ardhshme.

“Aspirata dhe qëllimi është të zvogëlohet ndjeshëm numri i njerëzve që vijnë në Finlandë nga Rusia”, tha presidenti Sauli Niinistö për transmetuesin shtetëror Yle.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të imponojnë kosto shtesë ekonomike ndaj Rusisë në bashkëpunim me aleatët amerikanë nëse Rusia ecën përpara me aneksimin e Ukrainës, tha Shtëpia e Bardhë të premten. Rusia ka planifikuar atë që SHBA i ka përshkruar si referendume të rreme në pjesë të Ukrainës lindore në atë që shihet si një hap drejt aneksimit të këtyre territoreve.

Të ashtuquajturat referendume janë duke u zhvilluar në zonat e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse, ku banorëve u është thënë t’i votojnë propozimet që katër rajonet ukrainase ta shpallin pavarësinë dhe më pas t’i bashkohen Rusisë. Zgjedhjet në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia do të zgjasin deri të martën dhe duket se janë një përpjekje e dobët për të siguruar mbulim për aneksimin e paligjshëm të rajoneve nga Moska.

Disa banorë po e injorojnë votimin, tha për CNN Andriy Yusov, një zyrtar i inteligjencës ukrainase të mbrojtjes.

Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Ukrainës ka pretenduar se e ashtuquajtura Republika Popullore e Donetskut, e mbajtur nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ka planifikuar t’i lejojë adoleshentët e moshës nën 18 vjeç t’i hedhin votat e tyre.

“Referendumet” janë dënuar gjerësisht në perëndim si të paligjshme. Ambasadorja e Britanisë në Ukrainë, Melinda Simmons, e përshkroi “referendumin e rremë” si “një ushtrim mediatik” nga Rusia, për të cilën rezultatet janë “pothuajse me siguri tashmë të vendosura”. NATO i përshkroi “referendumet” si “përpjekje flagrante të Moskës për pushtim territorial” dhe tha se ato nuk kanë legjitimitet. Përmes një deklarate të përbashkët udhëheqësit e G7 thanë se ata kurrë nuk do t’i njohin referendumet “e rreme”.

Ukraina tha të premten se i ka rrëzuar katër drone “kamikaze” të prodhuar nga Irani të përdorur nga forcat e armatosura të Rusisë, duke bërë që presidenti Volodymyr Zelenskiy të ankohej se Teherani po i dëmtonte qytetarët ukrainas. Ukraina dhe SHBA-ja e kanë akuzuar Iranin për furnizimin me dronë të Rusisë, diçka që Teherani e ka mohuar. Zelenskiy i ka kërkuar ministrisë së tij të jashtme që të përgjigjet ndaj përdorimit të pajisjeve iraniane, tha zëdhënësi Serhii Nykyforov.

Rusia do ta vazhdojë komunikimin e saj me Kombet e Bashkuara për një marrëveshje për eksportin e grurit nga portet ukrainase, por thotë se nevojiten rezultate konkrete, citoi agjencia e lajmeve Tass të premten një zyrtar i lartë. Ai citoi gjithashtu zëvendësministrin e jashtëm, Sergei Vershinin, tek thoshte se Rusia ka një vlerësim pozitiv për përpjekjet e OKB-së për ta rifilluar eksportin e plehrave ruse.

Forcat e armatosura të Ukrainës thanë se kanë çliruar një vendbanim tjetër në rajonin e Donetskut dhe i kanë përmirësuar pozicionet e tyre rreth qytetit lindor të Bakhmut. Fshati Yatskivka në rajonin e Donjeckut tani është në duart e Ukrainës, sipas Oleksii Hromov, nënkryetar i drejtorisë së operacioneve të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Kinës i ka thënë homologut të tij ukrainas se “sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”. Takimi mes Wang Yi dhe Dmytro Kuleba u zhvillua në margjinat e asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork dhe ishte i pari që kur Rusia e pushtoi Ukrainën. Kuleba tha se Wang e ka “riafirmuar respektin e Kinës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”./The Guardian