Transporti tokësor Kosovë- Shqipëri, masa rigoroze për shkelësit e marrëveshjeve

Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit sot janë takuar komisionet teknike për transport tokësor të Kosovës dhe Shqipërisë, për të diskutuar rreth respektimit të licencave nga kompanitë për transportin e udhëtarëve.

Sipas njoftimit, zëvendësministri Rexhep Kadriu e ka njoftuar palën shqiptare lidhur me shkeljen e masave nga operatorët nga Shqipëria, që janë të licencuar për transport transit nëpër Kosovë.

Ai gjithashtu ka përcjellë mesazhin e Qeverisë së Kosovës që të respektohen rregullat dhe marrëveshjet e nënshkruara në këtë fushë.

Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Artan Shkreli, u dakordua për marrjen e masave rigoroze drejt ndërgjegjësimit të operatorëve që i shkelin rregullat dhe marrëveshjet bilaterale mbi transportin e udhëtarëve.

Tutje në njoftim është shtuar se të dy delegacionet janë pajtuar që në të ardhmen të ketë harmonizim më të mirë të akteve legjislative në këtë fushë, që të mos ketë pengesa në operimin e transportit të udhëtarëve, qoftë në linjat transite apo ato ndërkombëtare.

Takimi u organizua  pas vendimit të MIT për të ndaluar dy operatorë të Shqipërisë, pas shkeljes së lejes për të qarkulluar nga Tirana në Bajram Curr përmes Kosovës, vetëm transit, por që këta kanë ndaluar të marrin udhëtarë, duke shkaktuar dëme tek operatorët vendas.