Si do të mund të duket iPhone 13?

Informacionet e para, jozyrtare, rreth mënyrës se si mund të duket iPhone i ardhshëm po qarkullon tashmë në internet. Sipas këtyre informacioneve, iPhone 13 do të ruajë të njëjtin dizajn ashtu sikurse gjenerata aktuale e 12-të, por do që të jetë më i trashë për një nuancë të vogël. 

Besohet se iPhone 13 do të jetë i disponueshëm në katër variante, kështu që mund të pritet që të ruajë të gjitha madhësitë aktuale të ekranit, raporton 9to5mac.com.

Ekrani i Iphone 13 do të jetë identik me modelin iPhone 12, me skaje të drejta, por do të ketë një prerje më të vogël në pjesën e sipërme të ekranit. Gjerësia dhe lartësia e telefonit do të jenë të njëjta sikurse kjo e gjeneratës aktuale, mirëpo trashësia e telefonit do të rritet me 0.26 mm.

Kur bëhet fjalë për kamerat, disa ndryshime në modelin e ri janë të mundshme. Apple do t`i mbulojë të tri lentet me kristal safiri, në mënyrë që i gjithë sistemi i kamerës të integrohet vizualisht.

Modulet e harduerit të kamerës në iPhone 13 Pro dhe iPhone 13 Max do të jenë të njëjta, kështu që të dyja modelet pritet të kenë tipare identike. IPhone 12 Pro Max aktual është i vetmi me një zmadhim optik 2.5X dhe një stabilizim më të mirë optik, kështu që dallon nga modeli iPhone 12 Pro. 

Gjithashtu, më herët është bërë e ditur se seria e plotë e telefonave iPhone 13 do të ketë një skanues LiDAR, dhe jo vetëm tek modelet Pro, siç është rasti tani.

Bazuar në praktikën tashmë të njohur, besohet se prodhimi dhe prezantimi i modeleve të reja do të bëhet gjatë këtij viti, andaj ne mund të presim që modeli i ri i Iphone të shfaqet në treg për në shitje diku gjatë muajit shtator 2021.