Samsung po zhvillon sensorë për matjen e sheqerit dhe presionit të gjakut me orët inteligjente

Kur u prezantuan modelet e para të orëve inteligjente, ato ishin më shumë një lloj zgjerimi i telefonave inteligjentë dhe në ekranet e tyre të vegjël përdoruesit kryesisht i shqyrtonin njoftimet që i merrnin në pajisjet mobile. Mirëpo, me kalimin e kohës, fokusi i prodhuesit të orëve u zhvendos tek fitnesi dhe shëndeti, gjë që doli të ishte një sukses i plotë.

Matja e hapave, rrahjet e zemrës, ngopja me oksigjen në gjak, gjurmimi i aktiviteteve të shumta sportive dhe GPS janë vetëm disa nga opsionet që përdoren shpesh në orët inteligjente. Kompanitë e teknologjisë investojnë shumë para në kërkimin dhe zhvillimin e opsioneve të reja shëndetësore, kështu që për një kohë të gjatë është folur për përgatitjen e opsioneve të Apple si matja e sheqerit në gjak dhe matja e presionit të gjakut për orën e saj inteligjente. Mundësi të tilla sigurisht që do t’i kënaqnin njerëzit që kanë probleme me sheqerin ose presionin e gjakut, por siç ka mësuar kompania Apple gjatë gjithë këtyre viteve, zhvillimi dhe vendosja e tyre në një kuti të vogël ore nuk është aspak i thjeshtë.

Megjithatë, Apple, natyrisht, nuk është e vetmja kompani që zhvillon teknologji të tilla. Samsung i ka të njëjtat plane, e cila dëshiron ta tejkalojë Apple dhe ta prezantojë opsionin e matjes jo-invazive të sheqerit në gjak dhe monitorimit të vazhdueshëm të presionit të gjakut në orët e saj Galaxy përpara tyre. 

Këto opsione të reja janë vetëm një pjesë e taktikave të Samsung që e synojnë monitorimin e shëndetit të përdoruesve dhe një vegël krejt e re me të cilën po punojnë duhet gjithashtu të përshtatet në këtë taktikë. Gjatë prezantimit të gjeneratës së re të telefonave nga seria S24, Samsung publikoi një ngacmues të një unaze inteligjente. Edhe pse detajet e kësaj pajisjeje nuk dihen, duhet pritur që opsionet më të rëndësishme të unazës do të synohen për monitorimin e gjumit, pra cilësinë e gjumit dhe opsionet shëndetësore.

Kompania koreano-jugore planifikon të shtojë sensorë të ndryshëm të monitorimit të shëndetit në disa nga pajisjet e tjera të saj, kështu që modelet e ardhshme të kufjeve të saj mund të kenë sensorë të temperaturës dhe të rrahjeve të zemrës, dhe këto të dhëna mund të kombinohen me të dhënat e orës për të qenë sa më të sakta./Tom`s Guide

Përgatiti: Nuhi Shala