Foto: RTV 21
Samsung e redukton ndjeshëm prodhimin e telefonave
Të dhënat e fundit thonë se Samsung e ka reduktuar prodhimin e telefonave inteligjentë për 30 milionë sosh, ndërsa Apple ka hequr dorë nga rritja e planifikuar e prodhimit për këtë vit.
Dy vitet e fundit kanë qenë të trazuara me një sërë problemesh të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, zinxhirët e furnizimit global, mungesat e çipave, dhe në muajt e fundit situata është komplikuar më tej nga lufta në Ukrainë. Inflacioni është vazhdimisht në rritje dhe ne mund të presim rritje të mëtejshme të çmimeve të shumë produkteve, dhe shumë po pyesin se si do të jetë dimri ynë duke qenë se Evropa është shumë e varur nga gazi rus.
Të gjithë këta faktorë janë reflektuar, ndër të tjera, në tregun e telefonave inteligjentë dhe ajo që mund të presim këtë vit mund të shihet më së miri në shembullin e dy kompanive më të mëdha të telefonave mobilë.
Kompania jugkoreane Samsung e ka mbajtur vendin e parë në shitjet e telefonave inteligjentë për vite me radhë, me ndërprerje të herëpashershme kur dominimi i tyre ndërpritet nga Apple. Sipas raportit të javës së kaluar nga mediat aziatike, kompania e lartcekur i ka informuar partnerët e saj se do ta reduktojë prodhimin e planifikuar të telefonave inteligjentë deri në masën prej 30 milionë sosh deri në vitin 2022.
Sipas planeve fillestare për këtë vit, të miratuara para pushtimit rus të Ukrainës, prodhimi i telefonave Samsung duhej të arrinte në rreth 310 milionë, por tani ata e kanë reduktuar atë plan dhe planifikojnë të prodhojnë 280 milionë telefonë. Duhet theksuar se bëhet fjalë për një raportim mediatik për të cilin Samsung nuk ka dashur të komentojë.
Sa i përket Apple, nuk do ta ulë prodhimin e telefonave inteligjentë, por duket se kanë hequr dorë nga rritja e planifikuar e prodhimit. Ata kanë planifikuar të prodhojnë 20 milionë telefona shtesë këtë vit, por prodhimi duhet të mbetet i ngjashëm me vitin 2021./Tech Crunch