Kosova shpall listën e hendbollistëve për dy ndeshjet miqësore kundër Kuvajtit

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës në hendboll në konkurrencën e meshkujve, Bujar Qerimi ka bërë publike listën e hendbollistëve për ndeshjet miqësore kundër Kuvajtit.

Sipas njoftimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës, ndeshjet do të luhen të premten dhe të dielën.

“Kombëtarja jonë të premten e të dielën luan miqësore me kombëtaren e respektuar aziatike. Ndeshjet zhvillohen në Podgoricë. Kombëtarja e Kosovës grumbullohet të mërkurën në Prishtinë, ndërsa të enjten udhëton për në Podgoricë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit këto dy ndeshje miqësore, vlerësohet se do ta ndihmojnë përfaqësuesen e Kosovës për t’u përgatitur sa më mirë për të ardhmen.

“Ndeshjet me Kuvajtin janë me peshë të madhe për të rritur konkurrencën në kombëtaren tonë si dhe për të zgjeruar bazën për selektimet e ardhshme”, thuhet në njoftim.