Kosova mposht Malin e Zi, vazhdon ëndrrën për kualifikim në Europian

Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur kombëtaren e Malit të Zi me rezultat 2 me 0.

Me një lojë shumë më të mirë në të dy pjesët, Kosova vazhdon ëndrrën për kampionatin europian që zhvillohet në vitin e ardhshëm.

Kosova kaloi në epërsi në minutë e 10-të me golin e Amir Rrahmanit, kurse golin e dytë e shënoi Vedat Muriqi në minutën e 35’.

Vlen të theksohet se Kosova dominoi të dy pjesët dhe kishte disa raste për shënim.

Kosova dhe Mali i Zi u përballën në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, ndeshje e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Pas kësaj fitoreje Kosova grumbullon 11 pikë në Grupin A.

Në këtë ndeshje për Kosovën munguan tre lojtarë kyç : Arbër Zeneli, Besar Halimi e Hekuran Kryeziu.

Djelmoshat e drejtuar nga Bernard Challandes, për t’u kualifikuar në Europianin i cili zhvillohet në vitin 2020, duhet t’i fitojnë edhe dy ndeshjet e mbetura, ndaj Çekisë si mysafir dhe ndaj Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova po ashtu duhet të shpresojë që kundërshtari direkt për vendin e dytë në Grupin A, Çekia në ndeshjen me Bullgarinë të pësoj humbje.

“Dardanët” e kanë edhe një mundësi tjetër që të jenë prezent në “Euro 2020”, përmes Ligës së Kombëve, ku në mars të vitit 2020 do të ndeshet me Maqedoninë e Veriut, nëse i mposht Maqedonët, atëherë në finale do të takohet me njërin prej fituesve Bjellorusi- Gjeorgji.

E nëse triumfon në finale, atëherë do ta siguroj biletën për “Euro 2020”.