FFK: Sot zhvillohet një ndeshje testuese për fillimin e kampionatit

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se sot do të zhvillohet një ndeshje testuese para se të merret një vendim zyrtar për fillimin e kampionatit.

Ndeshja Trepça ’89 – Arbëria, është duke u zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, në Mitrovicë.

“FFK-ja ka kohë që i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit të ri, i cili do të nisë sot me ndeshjen hapëse ndërmjet Trepçës’89 dhe Arbërisë, që zhvillohet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Në fakt, Ministria e Shëndetësisë, e ka aprovuar sot kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, e cila do të jetë si test për të parë se si po operohet dhe sa po respektohen masat strikte në luftën kundër Covid-19, ndërkohë që pritet vendimi i Qeverisë, në mënyrë që më pas ecuria e kampionatit të rrjedhë normalisht sipas kalendarit të garave”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Po ashtu komisioni i garave ka miratuar kërkesën e Dritës që ndeshjen e xhiros së parë kundër Llapit dhe ato të xhiros së dytë ndaj Trepçës ’89, të shtyhen për më vonë për shkak se klubi gjilanas merr pjesë në garat europiane.

“Komisioni i Garave ka aprovuar kërkesën e FC Drita që ndeshjen e javës së parë kundër Llapit dhe ndeshjen e javës së dytë kundër Trepçës’89 t’i shtyjë për më vonë për shkak të pjesëmarrjes në garat e Ligës së Evropës. Po ashtu, Komisioni i Garave ka vendosur ta shtyjë fillimin e kampionatit të ri në Ligën e Parë për shkak se disa klube nuk i kanë kryer ende kontrollimet mjekësore. Në rast se klubet nuk i kryejnë kontrollimet mjekësore deri javën tjetër, atëherë ndeshjet do t’i humbin me rezultat zyrtar”, ka njoftuar FFK-ja.