Foto: Kallxo.com

VV në tryezë për ndotjen: Kosova në krizë edhe me mjedisin

Në kohën kur temat e mëdha politike kanë zënë agjendën e institucioneve të vendit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zgjedhur temën e ambientit për ta debatuar me deputetë, ekspertë të mjedisit dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Në një tryezë e cila u mbajt në Kuvendin e Kosovës u diskutua për krizat e mjedisit në Kosovë dhe veçanërisht ndotjen e ajrit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti tha se ndotja e ajrit, ujit, tokës, prerja e pyjeve dhe rrënimi i shtretërve të lumenjve kanë marrë përmasa alarmante në Kosovë.

“Ndotja e rrezikshme e ajrit është një nga simptomet që marrëdhënia jonë me mjedisin është zhytur thellë në krizë… Shenjat s’kanë qenë kurrë më të qarta se tash dhe për këtë na duhet një përgjigje në nivelin global”, ka thënë Kurti.

Ndonëse ndotja e ajrit është vlerësuar si rreziku me i madh për shëndetin publik sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovën e pasluftës nuk janë bërë investime të duhura dhe serioze për të vendosur masa mbrojtëse dhe parandaluar ndotjen e ajrit, tha Kurti.

“Në buxhetin e Republikës së Kosovës po ta analizosh e ke përshtypjen që Kosova nuk ka fare probleme me ndotje të ajrit. Në këtë drejtim edhe matjet për gjendjen e rëndë janë në shkallën fillestare, ndonëse kemi institucione përkatëse për këtë punë”, tha Kurti.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka përmendur shifrat alarmante të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe ka adresuar pikat e Rezolutës së Kuvendit të nxjerrë në fillim të këtij viti në përgjigje të gjendjes alarmante të cilësisë së ajrit në Kosovë.

“Momentalisht ndotja e ajrit është 179 shkallë që konsiderohet e pashëndetshme. Ndërsa gjatë orëve të hershme të mëngjesit ka qenë shifra 450, që i bie të jetë në brezin e rrezikshëm. Në vitin që shkoi, në Kuvend është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme dhe është bërë një rezolutë e cila i ka 18 pika por shumë nga këto pika nuk janë të realizueshme”, tha Aliu.

Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët i shprehën shqetësimet e tyre rreth ndotjes së ajrit dhe bënë apel te qeveritarët që ta adresojnë këtë problem sa më shpejt.

Drejtorja e Forumit për Iniciativa Qytetare, FIQ, Dajana Berisha, tha se gjendja e mjedisit në Kosovë “është me të vërtetë shumë alarmante”.

“Sektori i energjisë dhe sektori i mjedisit janë dy prej sektorëve që më së miri e nxjerrin në pah nivelin e korrupsionit, mungesën e koordinimit ndërmjet qeverisjes qendrore dhe lokale, mungesën e informacionit cilësor të qytetarëve në raport me çka po ndodh në raport me mjedisin, me problemet shëndetësore, mungesa e ujit të pastër, mungesa e ajrit të pastër”, tha ajo.

Sipas Berishës, kjo ekspozon prezencën e korrupsionit dhe mungesës së një vizioni zhvillimor  ne nivelin qendror të qeverisë.

“Ka një strategji të energjetikës që po fokusohet vetëm rreth ndërtimit të një termocentali me bazë në linjit pa i dhënë mundësi asnjë lloj alternative tjetër të furnizimit me energji elektrike dhe kjo është problematike në vetvete sepse në një mënyrë sepse ia humbë shpresat Kosovës për një të ardhme europiane”, shtoi ajo.

Ajo tha gjithashtu se ka një zvarritje dhe një mungesë të qartë të kompetencave në nivel qendror dhe lokal në raport me mjedisin dhe të energjisë.

“Mos të harrojmë që KOSID i ka propozuar me vite me radhë qeverisë një listë zgjidhjesh se çka duhet të bëjë qeveria për mbrojtje të mjedisit”, tha Dajana Berisha.

Ndërsa Luan Hasanaj, i cili ka kaluar një pjesë të madhe të këtij viti nëpër deponitë ilegale të mbeturinave në kuadër të aksionit të pastrimit “Let’s Do It Kosova’, tha se trajtimi i çështjeve të mjedisit duhet të nisë “prej gjërave më të thjeshta dhe pastaj të shkojmë tek ajo që e ka emrin shkak, e që është KEK-u”.

“Ne në ‘Let’s Do It’ kemi pasur një projekt i cili ka qenë një model për mbrojtjen e mjedisit duke kontribuar direkt në mbrojtje të mjedisit. Edhe pse ka qenë prezent vullneti politik nga institucionet qendrore dhe lokale, mungon një bashkëpunim i sinqertë mes shoqërisë civile mes pozitës e opozitës”, tha Hasanaj.