Foto: Ilustrim

Talebanët Pakistanezë Sulmojnë Universitetin

Lëvizja e talebanëve pakistanezë (TTP) ka marrë pëgjegjësinë për sulmin kundër një universiteti në Charsadda, në veriperëndim të vendit, gjatë të cilit janë vrarë së paku 21 veta.

“Katër kamikazë tanët kanë kryer sulm kundër Universitetit Bacha Khan sot në mëngjes”, ka deklaruar përmes telefonit një komandant i kryengritësve, Umar Mansoor, nga një vend i panjohur, raporton AFP.

Ky komandant është pjesë e fraksionit “Tehreek-e-Taliban Pakistan” (TTP) të Hakimullah Mehsudit, që mban emrin e një komandanti taleban të vrarë nga një fluturake amerikane në nëntor 2013.

“Ky sulm është ndërmarrë si përgjigje ndaj operacionit Zarb-e-Azb”, ofensiva e gjerë antiterroriste e ushtrisë që po vazhdon në zonat fisnore në veriperëndim të vendit, në kufi me Afganistanin, ka thënë ai, duke kërcënuar se do të organizohen edhe sulme të tjera të kësaj natyre.

Siç raporton AFP, një zyrtar policor ka treguar se sulmi, i cili ka nisur në mëngjes, ka përfunduar dhe se janë së paku 21 veta të vrarë. Zyrtari nuk ka treguar nëse në mesin e të vrarëve janë edhe sulmuesit.