Shpërblehen Shkrimtarët më të Mirë të Kosovës

Shkrimtari Arif Demolli ka marrë sot nga kryeministri Isa Mustafa çmimin më prestigjioz kosovar për vepër jetësore në letërsi “Azem Shkreli”.

Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Kulturës, Mustafa tha këtë çmim po ia jepte shokut të klasës së tij.

Demolli dhe Mustafa për tetë vjet kishin mësuar në të njëjtën klasë në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

Ndarja e çmimeve për letërsi që u bë sot hyn në kuadër të agjendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Natyrisht që Arifi nuk ka qenë vetëm nxënës në shkollë, ka qenë shkrimtar, që nga viti i parë i shkollës fillore, ka qenë njeri prej të cilit kemi mësuar shumë. Është njeri i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që ka siguruar gëzimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhën e fëmijëve që s’e kanë bërë tjerët, prandaj ka shumë merita”, tha kryeministri në këtë ceremoni.

“Uroj që (Arif Demolli) të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij, dhe që të bashkëjetojmë në frymën që ai ka krijuar të një gjuhe të thjeshtë shumë të kuptueshme, dhe të një veprimtarie tepër të çmueshme për ne në Kosovë por edhe jashtë Kosove”, tha kryeministri Mustafa.

Nga ana e tij, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm në letërsi, Arif Demolli, shprehu dëshirën që ky çmim të jetë motivim për veprat e ardhshme.

“Vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”, theksoi Demolli.

Çmimet letrare u vlerësuan nga një juri e kryesuar nga Anton Berisha dhe me anëtarë Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Y. Gashi.

Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për këtë vit iu nda autorit Rexhep Murtez Shala, për veprën “Anonim Profan Wor(l)d, Neokultura”, ndërsa çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, iu nda poetes Ervina Halili për veprën “Amuletë”.

Për veprën “Lahuta…e Fishtës (Gjuhë dhe Stil), autori Xhavit Beqiri fitoi çmimin për kritikë letrare “Ibrahim Rugova”.

Për veprën “Danfante, heshtja e poetit është një akt terrorist”,  Fadil Bajraj u nderua me çmimin për veprën e përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani”.

Ndërsa, pos mortum krijuesi Abdullah Thaçi u nderua me çmimin letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” për librin “Kalaja e Fjalës”.