
Shënohet në Kroaci përvjetori i ndarjes Tito-Stalin
Akademikë dhe aktivistë shënuan 70-vjetorin e ndarjes midis presidentit jugosllav Josip Broz Tito dhe liderit sovjetik Jozef Stalin, që çoi në persekutime masive dhe krijimin e Lëvizjes së Vendve të Painkuadruara.
Një konferencë shkencore e mbajtur nga Fakulteti i Shkencave të Njeriut dhe Shkencave Sociale të Zagrebit dhe Fakulteti i Arteve të Lubjanës në kryeqytetin kroat nga e enjtja deri të shtunën shënon 70 vjetorin e ndarjes midis Jugosllavisë dhe pjesës tjetër të bllokut komunist.
Më 28 qershor 1948, Byroja Komuniste e Informacionit, një lëvizje që mblodhi bashkë të gjitha shtetet komuniste dhe socialiste në atë kohë, miratoi një rezolutë kundër Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, duke cituar praninë e “elementeve nacionaliste” në Jugosllavi dhe duke e dëbuar atë nga blloku.
Ndarja midis presidentit jugosllav Josip Broz Tito dhe liderit sovjetik Jozef Stalin shkaktoi marrëdhënie të këqija midis Jugosllavisë dhe BRSS deri në vitin 1955.
Një nga organizatorët e konferencës nga Fakulteti i Shkencave të Njeriut dhe Shkencave Sociale të Zagrebit, historiani Tvrtko Jakovina, tha se ndarja ishte “vendimtare dhe thelbësore për historitë e të gjitha shteteve post-jugosllave”.
“Megjithatë, kjo është një nga eventet e rralla nga historia jonë që ka rëndësi globale. Ajo që ndodhi saktësisht 70 vjet më parë, pati pasojat e saj dhe përbën një ngjarje të rëndësishme për historianët që hulumtojnë Luftën e Ftohtë në Europën Lindore, por edhe për ata që hulumtojnë emigrantët jugosllavë,” tha Jakovina për BIRN.
Ai tha se ndarja Tito-Stalin ndikoi shumë në marrëdhëniet midis shteteve të Europës Lindore Komuniste, si dhe në nivel global, sepse Lëvizja e Vendeve të Painkuadruara – e themeluar nga Tito dhe që përbëhej nga vendet që nuk i përkisnin as NATO-s dhe as Paktit të Varshavës – “nuk do të kishte qenë e mundur” përndryshe.
Reperkusionet e saj më të rënda ishin persekutimi i përkrahësve të Titos në shtetet e tjera komuniste, si edhe “një lloj persekutim i modelit të Stalinit të përkrahësve të Stalinit në Jugosllavi”.
Në konferencë, disa studiues theksojnë kampin e burgut në ishullin kroat të Goli Otok, i cili u hap në vitin 1949 për të mbajtur stalinistët.
Rreth 16,500 të burgosur kaluan në Goli Otokun midis viteve 1949 dhe 1956, prej të cilëve rreth 400 dhe 600 vdiqën për shkak të rrahjeve, sëmundjeve ose punës së tepruar.
Organizatorët gjithashtu do t’i çojnë pjesëmarrësit e konferencës të vizitojnë Goli Otokun të shtunën.
Ditën përpara përvjetorit, OJQ-ja Documenta – Qendra për Trajtimin e të Kaluarës, me bazë në Zagreb, dhe Shoqata “Goli Otok – Ante Zemljar” me qendër në Zagreb i bënë thirrje ministrisë kroate të kulturës të investojë fonde dhe përpjekje për të ruajtur vendin e Goli Otokut.
Ata propozuan që Goli Otoku të shndërrohet në një vend përkujtimor dhe qendër arsimore, duke përdorur gjithashtu fonde të BE-së.
Kinemaja Tuskanac në Zabreg do të shfaqë gjithashtu filma mbi Goli Otokun dhe ndarjen Tito-Stalin të enjten dhe të premten.