Renovohet anija historike e Titos në Kroaci

Pas muajsh diskutimesh të ndezura, këshilltarët e qytetit në qytetin portual kroat të Rijekës ranë dakord për një kredi për të financuar rinovimin e ish-anijes zyrtare të liderit jugosllav Josip Broz Tito, Galeb, e cila do të shndërrohet në muze.

 

Këshilli i qytetit të Rijekës të hënën vendosi të aprovojë fondin e nevojshëm për rinovimin e Galebit, një anije dikur e përdorur nga presidenti Josip Broz Tito për udhëtime diplomatike, e cila u la pasdore pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Këshilli miratoi një kredi prej 44 milion kunas (rreth gjashtë milionë euro) për rindërtimin e Galebit dhe Pallatin e Rafinerisë së Sheqerit, e cila do të bëhet selia e re e Muzeut të Qytetit.

Për rinovimin e anijes këtë verë u hapën përsëri tendera, por pati vetëm dy oferta, njëra nga kantieri i anijeve Viktor Lenac i Rijekës me 76 milionë kuna (10.2 milionë euro) dhe tjetra nga Dalmont, një ndërtues anijesh në Kraljevica aty pranë që vendosi një çmim prej 59 milionë kunash (tetë milionë euro).

Procesi i miratimit të mbështetjes shtesë financiare për projektin ka shkaktuar polemika në këshillin e qytetit për disa muaj.

Mediat kanë spekuluar se arsyet ideologjike janë pas kundërshtimit të projektit – një pretendim i bërë edhe nga kryetari i komunës së Rijekës. Por kundërshtarët e huasë për rinovim kanë insistuar se çështja janë paratë.

Kritiku më i zëshëm i projektit ka qenë këshilltarja e qytetit Ivona Milinoviç nga Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, e cila udhëheq koalicionin qeverisës të Kroacisë në nivel kombëtar, por është në opozitë në Rijeka, ku Partia Socialdemokrate, SDP është në pushtet.

Milinoviç tha për stacionin televizionit rajonal N1 të dielën se projekti ishte “një sipërmarrje e çmendur” e udhëhequr nga kryetari i SDP-së Vojko Obersnel.

Obersnel ka vërejtur megjithatë që Galeb u shpall si një objekt trashëgimie kulturore kroate në 2006 dhe se ministrja e HDZ-së për i Zhvillimit Rajonal Gabriela Zalaç miratoi fonde shtetërore dhe para të BE-së për projektin e rinovimit.

“Prandaj projekti është i mirë për institucionet e Republikës së Kroacisë dhe BE-së, dhe ata janë të gatshëm ta bashkë-financojnë, por vetëm disa njerëz në këshillin e qytetit Rijeka nuk janë dakord,” i tha Obersnel për gazetën Novi List në gusht.

Qëllimi është që anija e rrënuar të restaurohet dhe shndërrohet në një muze ndërsa Rijeka bëhet Kryeqyteti Europian i Kulturës në vitin 2020.

Galebi, i ndërtuar në vitin 1938, u përdor nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste për qëllime ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore para se të goditej dhe të fundosej në Rijeka.

Ajo u rindërtua më pas nga Jugosllavia dhe Tito filloi ta përdorte atë në vitet 1950 për udhëtime diplomatike dhe takime me liderë të huaj si Jaëaharlal Nehru, kryeministri i parë i Indisë, Gamal Abdel Nasser, presidenti i Egjiptit, Haile Selassie, perandori i Etiopisë , Sukarno, presidenti i parë i Indonezisë dhe Muammar Gaddafi, udhëheqësi i Libisë.

Anija u ble në vitin 2009 nga qyteti i Rijekës, i cili planifikon të instalojë një ekspozitë të përhershme kushtuar udhëtimeve të Titos dhe rolit të Galebit në Lëvizjen jo Aleate.

Vendimi për financimin e projektit të rinovimit mund të ketë ende një sfidë të mëtejshme.

Përpara seancës së këshillit të qytetit të së hënës, 15 nga 37 këshilltarët e Rijekës paraqitën një kërkesë për një referendum për projektin.

Këshilltarët nga partitë e opozitës si HDZ dhe MOST deklaruan në kërkesë se projekti ishte i panevojshëm, shumë i shtrenjtë dhe do të ishte i padobishëm.

Sipas Aktit të Qeverisë Lokale të Kroacisë, nëse paraqitet një kërkesë për referim nga të paktën një e treta e këshilltarëve, këshilli kërkohet të votojë për propozimin.