Viorica Dancila, kryeministre e Rumanisë. Foto: Wikipedia.

Rumunët druajnë se gafat e kryeministres mund të dëmtojnë kredibilitetin e vendit

Gjatë vizitës së saj zyrtare në Mal të Zi të mërkurën e kaluar, kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, ngatërroi kryeqytetin e vendit, Podgoricën, me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu në Prishtinë,” u tha ajo gazetarëve. Përkthyesi menjëherë e korrigjoi gabimin e saj dhe e përktheu atë si “Podgoricë”.

Qeveria e Rumanisë e fshiu regjistrimin dhe në Mal të Zi ata e hoqën fjalën, por deri atëherë, shumica e mediave në Rumani e kishin ruajtur këtë gafë në arkivat e tyre video dhe e përsërisnin atë pa pushim.

Dy ditë më vonë në Shkup, Dancila i quajti maqedonasit, “maqedonë”, një gabim që shpejt iu bashkua atij të mëparshmit si një nga shakatë e preferuara në mediat sociale.

Dancila është e njohur në Rumani për gafat e saj, por analistët e turit të saj ballkanik thonë se këto dhe gabime të ngjashme nuk janë më për të qeshur dhe po fillojnë të dëmtojnë qëndrimin ndërkombëtar të Rumanisë.

Analisti i pavarur politik Bogdan Nedea tha për BIRN se këto gafa nuk janë shaka, pasi kompetenca dhe elokuenca e personaliteteve të një vendi kanë ndikim në reputacionin dhe sigurinë e tij.

Rumania rrezikon të injorohet dhe të shihet si një shtet që nuk mund të prodhojë politika dhe mesazhe të qëndrueshme në nivel rajonal dhe europian, theksoi ai.

Rreziku është edhe më i madh tani, pasi Rumania vitin e ardhshëm merr përsipër presidencën e Këshillit Europian.

Përveç gabimeve verbale të politikanëve lokalë, ky gjë vjen në një kohë të vështirë kur Europa, me sa duket, do të përfundojë negociatat e Brexitit, zgjedhjet për një Parlament të ri Europian dhe zgjedhjen e një Komisioni të ri, vë në dukje analisti.

Nedea tha se gabimet verbale të kryeministres nuk kishin ndikim në sigurinë e Rumanisë “në kuptimin ushtarak, sepse presidenti Klaus Iohannis ka qenë i qartë se Rumania do të respektojë zotimet dhe rolin e saj në nivel rajonal dhe marrëdhëniet me partnerët e saj strategjik,” shpjegoi ai.

“Por në nivel politik, Rumania rrezikon të njëjtin izolim që përjetoi para se t’i bashkohej BE-së dhe ky është një problem i madh sepse askush nuk do ta marrë seriozisht qeverinë e saj,” shtoi ai.

Një sërë gabimesh

Të thuash Prishtina në vend të Podgorica dhe maqedonë në vend të maqedonas në fjalimet zyrtare është thjesht një pikë uji në kovën e madhe të gafave që ka bërë Dancila që kur u emërua kryeministre nga koalicioni i udhëhequr nga social demokratët gjashtë muaj më parë.

Ish-mësuesja e punës së dorës nga Rumania jugore, e cila shërbeu si eurodeputete social demokrate nga viti 2009, mori postin e kryeministres më 29 janar, pasi koalicioni qeverisës shkarkoi qeverinë e tij të dytë brenda një viti.

Por ajo së shpejti u bë e famshme për gabimet e saj gramatikore dhe gafat e protokollit në eventet dhe takimet shtetërore.

Në një mbledhje të qeverisë në mars 2018, ajo lexoi fjalën “imunoglobinë” gjashtë herë nga një fjalim i shtypur në vend të imunoglobulinë – një antitrup që i jepet pacientëve me kancer – pasi Rumania ishte e detyruar të kërkonte ndihmë nga vendet e tjera të BE-së për të siguruar trajtim për pacientët e saj me kancer.

Gjatë një takimi në prill, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e përshëndeti atë me: “Është kënaqësi të të takoj,” Dancila u përgjigj me vetëm: “He he! ” që u konsiderua si një gafë protokolli.

Në maj, kur e përshëndeti Papën me “Sfinzia Voastră (rumanisht për “Shenjtëria juaj), jam shumë e lumtur për këtë mundësi,” Dancila u kritikua përsëri që nuk di anglisht dhe që e përshëndeti Papën duke përdorur një shprehje rumune.

Megjithatë, gafat e tjera kanë shkaktuar më shumë shaka.

Në shkurt, Dancila zemëroi organizatat e të drejtave të njeriut pasi i quajti eurodeputetët që kritikuan nxitjen e qeverisë për ta marrë më me ngadalë luftën kundër korrupsionit “autikë”. Më vonë kërkoi falje për ofendimin.

Dancila u bë gjithashtu e famshme për gabimet e protokollit gjatë vizitave shtetërore.

Gjatë një vizite zyrtare në Bukuresht në maj, kryeministri kroat Andrej Plenkoviç u desh ta duhej ta paralajmëronte në mënyrë diskrete Dancilën se duhet të dëgjonte himnet kombëtare dhe të përshëndeste rojet kombëtare para se të shkonte për të mbajtur takimin dypalësh, siç kërkon protokolli.

Edhe një herë, anglishtja e saj e tradhtoi: “Nxjerrim një fotografi?” e pyeti ajo Plenkoviçin pas takimit.

Më 17 qershor, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas, Dancila harroi emrin e tij.

Të njëjtën ditë, kur përuroi Konsullatën e Estonisë në portin e Constantas, organizatorët e hapën përmbys flamurin e Estonisë dhe Ratasit iu desh ta rregullonte vetë atë.

Duke u munduar në frëngjisht dhe në anglisht

Ministra të tjerë rumunë janë bërë gjithashtu objekt i shakave dhe kritikave për pamundësinë e tyre për të folur ndonjë gjuhë të huaj.

Në mars të vitit 2017, ministrja e punës Olguta Vasilescu u regjistrua gjatë një konference të OKB-së teksa kishte probleme në leximin e një fjalimi në gjuhën angleze.

Një ditë më vonë, pasi këmbënguli se ishte më mirë në frëngjisht, ajo u regjistrua duke folur për “les segregations sur le marche du tramvai” në vend të “sur le marché du travail” (në tregun e punës).

Në janar, rumunët i kërkuan ndjesë në rrjetet sociale kryeministrit japonez Shinzo Abe i cili, kur vizitoi Bukureshtin, u takua në mënyrë ofenduese në aeroport vetëm nga ambasadori rumun në Tokio.

Abe gjithashtu u la të priste në një muze derisa presidenti Klaus Iohannis ishte gati ta priste atë.

Ish-kryeministri Mihai Tudose bëri një gabim akoma më të madh në televizion në janar 2018, kur paralajmëroi se nëse hungarezët etnikë vazhdonin të valvisnin flamujt e tyre rajonalë në Transilvani, edhe ata do të fluturonin pranë flamurit”, domethënë, do të vareshin.

Kërcënimi i dukshëm me vdekje tronditi Hungarinë fqinje, me të cilën marrëdhëniet tashmë ishin të tensionuara për çështjen e kërkesave për autonomi të pakicës hungareze.

Gabim i fundit, ndërkohë, erdhi nga ministri i bujqësisë Petre Daea, i cili javën e kaluar krahasoi djegien e derrave të infektuar nga gripi i derrit me kampin nazist të përqendrimit në Aushvic.

Ky krahasim i pafat me kampin më famëkeq të përqendrimit në botë i zemëroi organizatat hebreje dhe ato të të drejtave të njeriut dhe u vlerësua si antisemit.

Analistët fajësojnë për gafat e pafundme ministrore kreun e Social Demokratëve Liviu Dragnea dhe vendimin e tij për të emëruar ministra pa përvojë që ai mund t’i kontrollojë me lehtësi. Ai nuk mund të shërbejë vetë si kryeministër pas dy dënimeve për korrupsion.

Megjithatë, drejtimi i një kabineti të mbushur “me anëtarë që nuk kanë informacione bazë në lidhje me diplomacinë dhe qeverisjen, ka çuar në një rënie të kredibilitetit të Rumanisë”, tha Nedea.

Ish-zëdhënësi i Social Demokratëve, Adrian Dobre, tha të enjten për mediat se Dancila duhet të rivlerësojë këshilltarët që përgatitën vizitën e saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Këto gafat mund të krijojnë zhgënjim në një rajon ku ajo përfaqëson Rumaninë dhe kjo është për të ardhur keq,” pranoi ai.

Deputeti liberal Ovidiu Raetchi madje tha se deputetët s’duhet ta lejojnë Dancilan të shkojë në ndonjë vizitë zyrtare.

“Nuk i kupton Dragnea efektet katastrofike që kanë gafat e Dancilës në diplomacinë tonë?” pyeti ai në një deklaratë të dielën.

“Turneu i Ballkanit Perëndimor i Dancilës ishte turpi më i madh në historinë diplomatike të Rumanisë. Çdo deputet përgjegjës duhet të kërkojë që ne të bllokojmë zyrtarisht këto udhëtime që dëmtojnë Rumaninë,” shtoi ai.

Nedea tha se mungesa e ndonjë reagimi nga presidenti i Malit të Zi ndaj gafave ishte i turpshëm në vetvete, duke sugjeruar se liderët e huaj e dinin se çfarë duhet të presin nga liderët aktualë të Rumanisë.

“Imagjinoni sikur, në vend të Dancilës, personi që i bën këto gafa të ishte Theresa May! Do të ishte një skandal! Por në rastin e kryeministres tonë, nuk pati asnjë zemërim, vetëm shaka. Kjo tregon se si shihen personalitetet e Rumanisë nga homologët e tyre,” tha ai për BIRN.

Ai tha gjithashtu se ishte fat që Dancila e bëri “gafën e Prishtinës” në një sfond marrëdhëniesh të ngrohta midis Rumanisë dhe rajonit – me Rumaninë që përpiqet të ndërmjetësojë midis Kosovës dhe Beogradit.

“Imagjinoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse këto marrëdhënie nuk do të ishin aq të relaksuara,” shtoi ai. (reporter.al)