FOTO - Spitali i Mitrovicës

Qytetarët e Mitrovicës tani nuk kanë nevojë të trajtohen në QKUK për probleme ortopedike

Në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës,  po trajtohen raste të komplikuara ortopedike. Atje ka filluar të bëhet vendosja e protezës totale, dhe një operacion i rrallë i njohur si ligamento-plastika në gju, njofton QKUK.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, Enis Istrefi, tha se qytetarët e Mitrovicës dhe qyteteve përreth nuk kanë nevojë më t’i drejtohen QKUK-së për të tilla shërbime ortopedike.

“Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës ka mbështetur dhe do të mbështesë në vazhdimësi Repartin e Ortopedisë për punën që po bëjnë. Qytetarët e Mitrovicës dhe Regjionit të Mitrovicës, tash e tutje, mund  t’i drejtohen në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë për ato lloj të operacioneve dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në QKUK, pasi që ato kryhen edhe tek ne”, tha Istrefi.

Në anën tjetër, shefi i Repartit të Ortopedisë, Afrim Ngucati, tha se aktivizimi i shërbimeve për problemet e pjesës ortopedike ndihmon shumë edhe QKUK-në.

“Qëllimi ynë është që të shkarkohet edhe Qendra Klinike Universitare, pasi dihet që është një fluks shumë i madh i pacientëve”, thekson Ngucati.

Ortopedi Amir Veseli, foli për numrin e operacioneve që kryhen në baza javore. Ai theksoi nevojën për hapjen edhe të një salle të re, në mënyrë që të mbulohen të gjitha kërkesat me kohë.

“Numri i operacioneve mund të shkojë deri në 10 brenda javës, duke përfshirë gjithë patologjinë e pjesës ortopedike”, thotë Veseli.

Në këtë spital, shërbime mjekësore për problemet që ndërlidhen me ortopedinë, marrin edhe pacientë nga Vushtrria dhe Skenderaj.

Pacienti Bujar Kerolli, i shtrirë në Repartin e Ortopedisë, pas operacionit, thotë se trajtimi ishte në nivelin e duhur. Kerolli nuk ka besuar që pa pritur gjatë do të operohej.

“S’kanë nevojë me shku në privat, s’kanë nevojë me shku në Shqipëri. Sa i përket Repartit të Ortopedisë, më shumë se perfekt është”, vlerëson Kerolli.