‘Smajl’- 40 Vjet Kurbet për një Magnetofon

Zymryte Hoxhaj tregon se si e ktheu në film jetën e babait të saj që shkoi në Gjermani për një magnetofon dhe mbeti aty.

Një film për babanë. “Smajl” është inspirim për Zymryte Hoxhajn. Por edhe pse historia ishte e saj, ideja për filmin erdhi nga dikush tjetër. Philipp Majer-in e ngacmoi rrëfimi i një mikeshe. Bashkë janë regjisorë në këtë dokumentar 45 minutësh.

Smajli shkoi në Gjermani vetëm për të blerë një magnetofon. Por iu deshën plot 40 vjet për t’u kthyer me të në vendlindje. Mallin për atdheun dhe shtëpinë, konfliktet me fëmijët dhe ëndrrën e një patrioti, i rrëfen filmi dokumentar që mban emrin e tij.

E bija, Zymryte Hoxhaj, bashkë-regjisore në këtë film, tregon detaje gjatë realizimit të këtij dokumentari.

“Gjatë filmimit babi u prek me do pytje, po kjo u kanë si terapi për neve. Shumë tema kanë dalë në tavolinë që ma herët s’jonë folë,” tregon.

Ndër këto tema, është mendimi i Smajlit që vajzat e tij duhet të martohen me shqiptarë. Në dokumentar, ndër tjera ai thotë: “Na i kena hup fminë tonë,” duke iu referuar shqiptarëve emigrantë nëpër botë.

Ky insert ka bërë që xhirimet të ndërpriten për një ditë, siç tregon Hoxhaj “E qitu jena përla, edhe skena mujt me xhiru ni ditë se ka qenë e tensionume”.

Pjesë e filmit është edhe vetë ajo. “Tu e bo filmin e kena pa që do sene s’po kuptohen. Edhe tani une kom hi mrena si transmetues (narrativ në film). Kena dasht me kallxu qysh osht edhe jeta e fmisë mes dy kulturave,” rrëfen bashkëregjisorja.

E pyetur për jetën mes dy kulturave, asaj shqiptare dhe gjermane, Zymryte Hoxhaj shprehet: “Unë pe nij veten si para ni byfeje: çka nuk më hahet nuk e marr, e çka më hahet e marr. Shumë sene m’pëlqejnë në kulturë të gjermanëve, shumë sene në kulturë të shqiptarëve edhe e kundërta”.

Ajo po ashtu shprehet që raporti me babanë kur ai është në Gjermani, është i ndryshëm nga ai kur vjen në Kosovë, për shkak të ndikimeve që ka nga të afërmit. Ajo këtë e tregon me humor.

“I thom: me ty osht kanihere si mi pas katër baba”.

Por, Hoxhaj tregon se nëpër vite raportet e tyre janë përmirësuar: “Ne e kemi eduku njoni-tjetrin”.

Filmi është shfaqur në “DokuFest”, në kategorinë “Life is elsewhere”, jashtë konkurrencës. Gjatë shfaqjes, veç Smajlit, të pranishëm ishin edhe shokë të tij, emigrantë shqiptarë në Gjermani.

Zymryte Hoxhaj rrëfen përshtypjet e tyre pas filmit, momentin më të lumtur për të. “Ata i kanë thanë babit: Smajl na veç veten e kena kqyrë, se kena pa që edhe fmitë tonë nuk e kanë lehtë edhe faleminderit që e ka bo vajza jote qit film se na ka hapë sytë”.

Në këtë film dokumentar është punuar dy vjet nga vetëm nga dy persona, Zymryte Hoxhaj dhe miku i saj Philipp Majer, të cilit ajo ia atribuon të gjitha meritat.

Sot rrugëtimi i Smajlit që nisi më 1970 u finalizua. Ai ka shumë magnetofona dhe shumë fëmijë. Si aktivist politik e ka të plotësuar edhe dëshirën e kamotshme- Kosovën e pavarur.

“Smajl” pritet të rrugëtojë nëpër shumë festivale filmi, por Smajli vetë sot jeton në shtëpinë e tij, siç e quan ai- “të vërtetën”.