Prokuroria e Gjakovës e Çon në Speciale Rastin e Jabllanoviqit

Edhe pse sot është dashur që ish-ministri për Komunitete dhe Kthim Aleksandar Jabllanoviq të paraqitet për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, ai përsëri nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës Shpresa Bakija thotë se kallëzimin penal kundër tij e ka dërguar në Prokurorinë Speciale.

Kryeprokurorja dërgimin në Prokurorinë Speciale të këtij kallëzimi për KALLXO.com e arsyetoi me fjalët se në kohën kur Jabllanoviqi dyshohet të ketë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor apo fetar ishte pjesë e institucioneve qendrore të vendit.

“Ne javën e kaluar e kemi përcjellë në kompetencë lëndën në Prokurorinë Speciale të Kosovës për faktin se në kohën kur dyshohet se e ka kry veprën penale Jabllanoviqi ka qenë ministër,” tha Shpresa Bakija.

Kjo nuk i pëlqeu fare Driton Dobrunës, përfaqësuesit të nënshkruesve të peticionit për kallëzimin penal ndaj Jabllanoviqit.

“Kjo prokurori duhet të jetë kompetente, sepse ai ka dhënë deklaratën fyese në territorin e Komunës së Gjakovës. Nuk ka nevojë që kompetenca të delegohet tjetërkund, duhet që kjo prokurori ta marrë kallëzimin dhe të ngre aktakuzë në bazë të provave që janë relevante dhe të padiskutueshme,” tha Dobruna.

KALLXO.com-i tentoi të kontaktojë edhe sot me Jabllanoviqin, por ish-ministri nuk u lajmërua në telefon.

Qytetarët e Gjakovës kur protestuan kundër deklaratës së Jabllanoviqit që protestuesit kundër pelegrinëve serbë më 6 janar i quajti “egërsira”, nënshkruan peticion për ngritje të kallëzimit penal kundër ish-ministrit.

Kryeprokurorja Bakija tha se Jabllanoviqi e ka marrë në mënyrë të rregullt ftesën për t’u paraqitur në prokurori në ditën e sotme.

“Është e vërtetë se për datën 22 përkatësisht sot në ora 11:00 është caktu marrja në pyetje e personit të dyshuar Aleksandar Jabllanoviq. Fletkthesa është kthy, ai e ka marrë ftesën në mënyrë të rregullt,” tha Bakija.

E pyetur se a do të lëshohet fletarrest për Jabllanoviqin, kryeprokurorja edhe këtë çështje ia la në dorë Prokurorisë Speciale.

“Është kompetencë e Prokurorisë Speciale dhe nëse duhet me lëshu ata duhet me lëshu [fletarrestin],” tha Bakija.

Jabllanoviq nuk ishte paraqitur për marrje në pyetje në Prokurorinë e Gjakovës as më 11 maj.

Jabllanoviq hetimet kundër tij i quajti politike, kur u pyet nga KALLXO.com-i për to më 14 maj.

Ai atë ditë nuk garantoi se do të paraqitet në prokurori, në datën e përcaktuar të ftesës së dytë. Tha se paraqitja lidhet me atë se a ia lejojnë obligimet e reja që ka marrë udhëtimin drejt Gjakovës.

Hetimet ndaj Jabllanoviqit lidhen me deklaratën e tij më 6 janar të këtij viti, teksa po vizitonte Manastirin e Zoçishtit në Rahovec për krishtlindjet ortodokse.

Atë ditë ish-ministri i quajti egërsira protestuesit në Gjakovë që penguan pelegrinët serbë të hyjnë në kishën ortodokse të këtij qyteti.

Kjo gjë shkaktoi protesta në fillim në Gjakovë, e pastaj edhe në qytetet tjera në të cilat u kërkua dorëheqja e Jabllanoviqit.

Ish-ministri tha se nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe dhe nuk ndihet përgjegjës nëse familjarët në Gjakovë e kanë keqkuptuar. Ai edhe njëherë përsëriti se ka kërkuar falje ndaj familjeve.

Falje Jabllanoviq pati kërkuar më 19 janar, 13 ditë pas deklaratës së krishtlindjeve.

Më 23 janar në Prishtinë u mbajt protestë ku kërkesa kryesore ishte shkarkimi i Jabllanoviqit. Këtë protestë KALLXO.com-i e ndoqi live.

Më 3 shkurt kryeministri Isa Mustafa njoftoi se Jabllanoviq nuk është më ministër në kabinetin e tij.

Largimi i Jabllanoviqit nga Qeveria shkaktoi një bojkot prej dy muajve të deputetëve nga Lista Serbe, pjesë e të cilit subjekt është edhe Jabllanoviqi.

Lista Serbe vendosi të kthehet në institucione më 23 prill.