Prishtina ‘Vishet’ Kuqezi, Para Miqësores Kosovë- Shqipëri (FOTO)

Kosova dhe Shqipëria do të përballen nesër në Prishtinë në një ndeshje miqësore të futbollit ndërsa qyteti i Prishtinës është gdhirë sot në atmosferën e kësaj ndeshjeje me flamuj kuqezi të varur në çdo rrugë e shesh qendror.

Albert Kastrati, kryetar i grupit të simpatizuesve të Prishtinës, Plisat, tha se mbrëmë i kanë vendosur flamujt në disa pjesë të qytetit.

“Për nder të ndeshjes Kosovë-Shqipëri, do të vjen kombëtarja në Kosovë, prandaj kemi dëshiruar t’i tregojmë se po vjen në shtëpinë e vet. Kështu që mbrëmë kemi vendosur flamuj”, tha Kastrati.

Flamujt janë vendosur në qendër, në Dardani, sheshit ‘Nënë Tereza’, në rrugën Luan Haradinaj, te Stacioni i Autobusëve dhe në pjesë të tjera të Prishtinës.

Ndërkaq, askund nuk shihet të jetë vendosur flamuri i Kosovës. Por Kastrati e ka një shpjegim për këtë.

“Ne kemi luftuar për flamurin kombëtar, flamuri i Kosovës nuk na lidh asgjë me të, është flamur i shtetit por plisat nuk e përdorin kurrë atë flamur”, shtoi ai.

Sipas tij, Plisat për të vendosur këta flamuj kanë bashkëpunuar me Komunën e Prishtinës, përkatësisht me Drejtorinë e Shërbimeve Publike duke e marrë lejen prej tyre.

Ndërkaq, Shefi i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Habib Qorri tha për KALLXO.com se “Plisat” nuk kanë marrë leje, sepse nuk ka nevojë pasi që vendosja e flamujve bëhet gjithmonë para ndonjë akti solemn.

“S’ka leje, jo për këtë por për asnjë aktivitet nuk kemi lëshuar leje speciale sepse këto janë raste solemne siç janë festat, ndeshja e futbollit në këtë rast, organizatorët i vendosin vet”, tha Qorri.

Ai bëri të ditur se është duke biseduar me organizatorin e ndeshjes për vendosjen edhe e flamujve të shtetit të Kosovës.

“Ata kanë kërkuar për të vendosur flamujt shtetërorë dhe tash jemi duke shkuar me i marrë. Unë jam duke biseduar tash me organizatorin e ndeshjes për flamujt e Kosovës”, tha Qorri.