Mustafa: S’ka Pushim Pa Votuar Specialen

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka apeluar te deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos shkojnë në pushim vjetor pa e votuar Gjykatën Speciale.

“Çështja e Gjykatës Special është çështje në të cilën po punohet. Ajo që tash mund t’ju them është që ne kemi kërkuar që deputetët të mos shkojnë në pushim para se të vendos Kuvendi për Gjykatën Speciale, përkatësisht para se ta ri-procedojmë në Kuvend”, tha Kryeministri Mustafa.

Ai tha se nuk mund të flasë për datat, por tregoi përkushtimin e qeverisë që kjo çështje të kryhet para pushimeve të Kuvendit.

Thirrje të njëjta ndaj deputetëve ditë më parë pati edhe nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe partneri i koalicionit, Hashim Thaçi, si dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.