Ministria e Mjedisit e Çon në Gjyq 'Ferronikelin'

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nisur procedurë kundërvajtëse ndaj “NewCoFeronikeli” pasi që, sipas tyre, kjo kompani nuk i ka zbatuar detyrimet ligjore në bazë të lejes së integruar mjedisore.

“Si rezultat i këtij monitorimi dhe gjetjeve, MMPH ka nisur procedurën për kundërvajtje kundër “NewCoFeronikeli”, për shkak të moszbatimit të detyrimeve ligjore të përcaktuara me lejen e integruar mjedisore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Disa banorë të Drenasit kanë protestuar sot para kësaj ministrie duke u ankuar për ndotjen që, sipas tyre, po u bëhet nga “Ferronikeli”.

Por Kryeshefi i Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Republikës së Kosovës, Ilir Morina tha se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme, dhe në rast se është nevoja edhe do ta mbyllin ‘Ferronikelin’.

Ai tha se kjo fabrikë ka një sistem të vet-monitorimit të ndotjes, dhe në bazë të të dhënave nuk ka asnjë tejkalim të shkarkimeve, ndërsa tejkalimet janë vërejtur në cilësinë e ajrit deri në 60 mikrogramë, përderisa limiti është 50 mikrogramë.

“Asnjë letër Ministria e Mjedisit nuk e ka marrë prej grupit që proteston, ne i kemi prit edhe në takim nuk kanë ardhë. Le të na japin një letër me fakte ku ka ndotje”, tha Morina.

Ndërkaq sa i përket numrit të rasteve të personave të prekur me kancer që sipas protestuesve është rritur, Morina e kontestoi një gjë të tillë.

“Instituti i Shëndetit Kombëtar na ka garantuar që nuk ka ngritje të numrit të rasteve me kancer më shumë sesa viteve tjera”, shtoi ai.

Morina u zotua se matësin e ndotjes i cili tashmë gjendet në Brezovicë do ta transferojnë në Drenas.