Mbrojtja Propozoi Prova të Reja në Rastin e Bankierëve

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë vazhdoi shqyrtimi gjyqësor ndaj tetë të akuzuarve për veprat penale keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme.

Në seancën e sotme kryetarja e trupit gjykues me pëlqimin e mbrojtësve dhe të akuzuarve vendosi që të gjitha provat që gjenden në shkresat e lëndës  të merren si të lexuara.

Pastaj avokatët mbrojtës të të akuzuarve paraqitën prova të reja para trupit gjykues dhe kërkuan një ekspertizë të re financiare që sipas tyre duhet të kryhet nga tre ekspertë të lëmive bankare, financiare dhe ekonomike.

Prokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj nuk u pajtua me provat e reja të paraqitura e as me kërkesën për ekspertizë.

Trupi gjykues mori vendim që të gjithë avokatët mbrojtës të cilët propozuan prova të reja t’ia sjellin ato në tri kopje të shkruara brenda tri ditësh gjykatës.

Në këtë proces gjyqësor për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi dhe lidhje të kontratës së dëmshme akuzohen Nazmi Mustafa, Nail Reshiti, Skender Blakçori, Ismet Brajshori, Islam Zeka, Serafedin Zhitia, Zylfi Arifaj dhe Pashk Bala.

Seanca e radhës u caktua më 14 maj.