Katër të Ndaluar për Vrasjen e Policit Shemsi Gashi

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha sot për KALLXO.com se janë ndaluar katër persona për vrasjen e djeshme të rreshterit policor, Shemsi Gashi, që ka punuar në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, dje ka folur rreth rastit të vrasjes së hetuesit policor të Departamentit të Krimeve Ekonomike.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Hyseni kishte thënë se hetimet fillestare tregojnë se deri te incidenti kishte ardhur për shkak të një mosmarrëveshjeje.

Ndërsa policia ka thënë se nuk përjashton as motivet personale e as ato profesionale përderisa po e heton rastin.

Në një konferencë për media, Agron Borovci kishe thënë se për zbardhjen e vrasjes është realizuar një operacion i bastisjes në Lagjen e Spitalit.

“Është realizuar një operacion i bastisjes në Lagjen e Spitalit, i cili është realizuar në bazë të indikacioneve që ka pasur policia duke u mbështetur në rezultatet e veprimeve hetimore. Bastisjet kanë përfunduar dhe policia është në fazën e intervistimit të disa personave, të cilët gjenden nëpër stacionet policore”, qe shprehur Borovci.

Polici i vrarë është varrosur dje pasdite në varrezat e fshatit Zllatar, në periferi të Prishtinës.