Bllokada në Prishtinë Ia Bllokon Vizitën Jahjagës në Beograd

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka vendosur të mos shkojë në Beograd me 1 nëntor në konferencën që po organizohet nga Grupi Evropian i Komisionit Trilateral.

Si arsye për këtë refuzim, ajo ka përmendur ngërçin politik të krijuar në Kosovë tash e pesë muaj në vend.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com, Arbër Vllahiu këshilltar për media i Presidencës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës pas një analize të hollësishme të ftesës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral për pjesëmarrje në konferencën që organizohet në Beograd më 1 Nëntor, ka marrë vendimin që të mos marrë pjesë në konferencë, për shkak të gjendjes së krijuar në vend me pamundësinë e ndërtimit të institucioneve të reja”, tha Vllahiu.

Vllahiu tha se qëndrueshmëria e shtetit dhe domosdoshmëria për të ndihmuar procesin e ndërtimit të institucioneve në vend kanë përcaktuar edhe vendimin e Presidentes Jahjaga, karshi edhe analizës së agjendës së përcaktuar të konferencës, nivelit të pjesëmarrësve dhe aspekteve protokollare dhe organizative.

“Presidentja Jahjaga e ka falënderuar organizatorin e konferencës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral, për ftesën për pjesëmarrje në njërin nga panelet e kësaj konference dhe vlerëson hapin e ndërmarrë si një përpjekje drejt krijimit të një klime të mirëbesimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Vllahiu.,

Vllahiu ka treguar se Presidentja Jahjaga pavarësisht nga pamundësia e pjesëmarrjes në konferencë, thekson se relaksimi I marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor hap perspektivën evropiane për të gjithë dhe ndihmon në krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha vendeve.