Pamje nga Malisheve

Banorët e Malishevës nuk po Akomodohen Brenda Rajonit të Gjakovës

Gjatë takimeve të kryetarit të komunës së Malishevës Ragip Begaj me banorët e fshatrave të Gurishtës dhe Dragobilit, këta të fundit kanë kërkuar nga kryetari që të bëhet presion dhe të gjinden forma, për ta rikthyer Malishevën nën kontrollin administrativ të regjionit të Prizrenit.

Ata i kanë thënë të parit të komunës se banorët e Malishevës si nga ana e infrastrukturës, ashtu edhe në çështje të tjera, janë të lidhur me Prizrenin.

Por kryetari Begaj nuk u la shumë shteg banorëve për të shpresuar se Malisheva do të mund të rikthehet nën regjionin e Prizrenit, aty ku kishte qenë deri në fillim të këtij viti.

“Ne kemi kërkuar sqarime nga ministria dhe organet përkatëse, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Komuna nuk është pyetur dhe kjo është bërë nga niveli qendror pa vullnetin e Komunës së Malishevës dhe pa vullnetin e qytetarëve të Malishevës”, u tha Begaj banorëve të këtyre fshatrave.

“Ne jemi duke shikuar të gjitha format dhe mundësitë ligjore për t’u rikthyer me Prizren dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që kemi”, u shpreh ai.

Por Begaj kritikoi edhe ish deputetët nga Malisheva, në Kuvendin e Kosovës të cilët, sipas tij, në kohën kur është miratuar ai vendim për kalim me regjionin e Gjakovës, kanë heshtur dhe nuk e kanë kundërshtuar.

KALLXO.com kishte shkruar ne dhjetor të vitit të kaluar për pakënaqësitë e qytetarëve të Malishevës, të cilit ishin kundër kalimit të Malishevës nën regjionin e Gjakovës.

Mbrëmë, kryetari i Malishevës Begaj i shoqëruar nga drejtori komunal për shëndetësi, Hajdin Berisha, kanë takuar banorët Gurishtës dhe Dragobilit, me të cilët kanë biseduar për çështje të ndryshme, si për investime, pastaj mbrojtje të ambienti dhe për masat parandaluese kundër etheve hemorragjike krime kongo.

Në Gurishtë, kryetari Begaj, tha se përveç shkollës që është duke u ndërtuar, pret që të gjendet një zgjidhje edhe për kanalizimin e fshatit, pasi është i vetmi fshat që nuk ka kanalizim.

“Nuk dua të jap premtime, por dua që fillimisht të kryhet puna, e pastaj mund të flasim për to”, tha Begaj.

Ndërsa në Dragobil, ai tha se me buxhet të komunës do të ndërtohet një rrugë për një lagje të re në këtë fshat.

Në këto takime është biseduar edhe mbrojtje të ambientit, si dhe për masat parandaluese kundër etheve hemorragjike krime kongo, masa për të cilat ka folur drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha.