Aleksandar Vuçiq duke festuar fitoren në selinë e partisë së tij. Foto: Beta/Darko Vojinovic.

NYT Paralajmëron Kundër ‘Autokracisë’ së Vuçiqit në Serbi

Teksa senatori amerikan John McCain mbërriti në Beograd të hënën për t’u takuar me liderët serbë, ku marrëdhëniet Serbi-Kosovë do të jenë në fokus, një nga mediat më me ndikim të Amerikës, New York Times, u shpreh ashpër për triumfin e kryeministrit Aleksandër Vuçiq në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke thënë se Serbia “i është afruar autokracisë”.

Në një artikull të nënshkruar nga “redaksia” – që përfaqëson opinionin e gazetës më tepër se sa një person të vetëm – NYT tha se zgjedhja e Vuçiq ishte “ogur i keq për demokracinë serbe”, pasi ai tashmë ka “cunguar rëndë lirinë e shtypit dhe ka margjinalizuar opozitën politike”.

Zgjedhjet u “karakterizuan nga akuza të frikësimit të votuesve dhe nga një dominim thuajse total i mediave serbe nga Z. Vuçiq dhe partia e tij (Progresive Serbe)”, shtoi gazeta.

Gazeta vazhdoi duke paralajmëruar kundër një tendence nga disa liderë perëndimorë për t’i parë politikanët si Vuçiq “si një forcë stabiliteti”, duke shtuar se “arritja e një kontrolli të tillë nga Vuçiq do të ishte një tradhti ndaj vlerave thelbësore të Bashkimit Europian”.

Konsolidimi i pushtetit nga Vuçiq në Serbi vjen në një kohë të rritjes së shqetësimeve rreth autoritarizmit në Europën Lindore, në Hungari dhe Poloni veçanërisht, dhe në Turqi, ku pritet që javën e ardhshme të mbahet një referendum për të rritur fuqitë e presidentit turk Erdogan.

Në një kohë të shtimit të tensionit mes SHBA-së dhe Rusisë për Sirinë, lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Kremlinin gjithashtu janë në analizë të imtësishme në Uashington.

http://kallxo.com/vuciq-fiton-zgjedhjet-presidenciale-serbe/