Kurti kritikon shtetin e Kosovës që nuk e ndihmoi Bekim Lumin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e regjisorit Bekim Lumi duke thënë se vdekja e tij ka lënë të pikëlluar të gjithë dashamirësit e teatrit.

“Vdekja në moshë të re e regjisorit të talentuar dhe profesorit të Universitetit të Prishtinës, Bekim Lumit, i lë të gjithë dashamirësit e teatrit të pikëlluar. Bekim Lumi megjithatë jetoi mjaftueshëm sa për të vënë në skenë, të përshtatura me stilin e vet tejet origjinal, dramat e Ionésco-s, Chekhov-it, Shakespeare-it, Koltés-it, Mrozhek-ut etj, por edhe dramatizime të frymëzuara nga tekste të Lorca-s, Fishtës etj”, ka shkruar Kurti në postimin e tij në Facebook.

Kurti ka shtuar se shteti i Kosovës nuk ishte në gjendje t’i ndihmojë regjisorit Bekim Lumi për shërimin e sëmundjes së tij.

“Në fund të jetës së vet, tashmë i sëmurë prej një sëmundjeje të rëndë, shteti i Kosovës nuk qe në gjendje t’i ndihmonte, ashtu siç nuk i ndihmon dot qindra qytetarëve të tjerë, për të paguar kurimin e shtrenjtë. Por ai nuk u thye, dhe në formë testamenti artistik, politik e qytetar, vuri në skenë veprën e njohur të Bertolt Brecht-it, “Arturo Ui”, historia e ardhjes në pushtet të një diktatori, me ndihmën e mafisë, përmes dhunës, por sidomos përmes servilizmit të burokratëve e përmes apatisë dhe frikës së njerëzve të zakonshëm”, ka shkruar Kurti.

“Një mendje e shkëlqyer nuk është më mes nesh”, ka përfunduar Kurti postimin e tij.

Regjisori i njohur kosovar, Bekim Lumi ka vdekur mëngjesin e sotëm pas një sëmundje të rëndë..