Kërkohet reagimi i MAShT-it për numrin e madh të studentëve në institucionet private të arsimit të lartë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka organizuar tryezën me temën “Akreditimi në Kosovë – Sfidat dhe planet”, në të cilin u trajtuan sfidat me të cilat përballet Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), e që mes tjerash u kërkua edhe reagimi i Ministrisë së Arsimit ndaj institucioneve private të arsimit të lartë, të cilat kanë rritur numrin e studentëve.

Në këtë debat u përmendën mungesa e stafit, problemet teknike, si dhe presionet me të cilat është përballur vazhdimisht edhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC).

Anëtari i KShC-së, Dukagjin Zeka, tha se qëllimi i anëtarëve të këtij këshilli është moslejimi i degradimit të procesit të akreditimit.

Ai tha se KShC ka bërë kërkesë për shtimin e stafit në AKA, mirëpo kjo ende nuk është mundësuar.

“Infrastruktura dhe problemet teknike janë probleme që vazhdojnë sepse i përkasin Ministrisë dhe Qeverisë sepse ne po kërkojmë staf por s’ka hapësirë për të akomoduar stafin. Ne ende flasim për kritere minimaliste kur bëhet fjalë për akreditim dhe kjo ka pasur shumë keqkuptime të cilët kanë tendencë me tre profesorë të marrin tri specializime. Nuk do të jetë më vetëm grada doktor shkence, kriter i akreditimit por edhe kontributi shkencor.”, ka thënë ai.

Zeka tha se ka informacion se shumë institucione private të arsimit të lartë e kanë kaluar numrin e studentëve duke shfrytëzuar vakuumet ligjore.

Ai gjithashtu përmendi edhe kërkesën e ENQA-s (Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë) për krijimin e një Komisioni të Ankesave, i cili do të vlerësonte gabimet procedurale.

“Ministria e Arsimit i ka lejuar institucionet private të arsimit të lartë që numrin e studentëve me kalu nga 500 në 5 mijë dhe koha për me reagu është e ngadalshme. Përderisa të vetëdijesohemi se diploma duhet të jepet me kompetencë dhe jo vetëm letër. Shpesh na është thënë se nuk jeni kompetentë me i vlerësu fushat, unë nuk i di shumë sende në Mjekësi por është njeri kompetent që është përgjegjës dhe tregon se cili është adekuat”, ka thënë profesori universitar.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci tha se AKA aktualisht është e përqendruar tek tre PhD për një program edhe pse ai është kriter minimalist.

Ai gjithashtu foli për procesin e ankimimit, i cili sipas tij, ka marrë një kohë shumë të gjatë.

“Janë më shumë se gjashtë muaj dhe ky proces ka ngecur për arsye të ndryshme. Ka dalë një interpretim ligjor qe ia mundëson komisionit aktual të ankesave me bë akreditim. Janë dy raste që kemi evidentuar, ku ky këshill ka kthyer akreditimin, e kjo është kompetencë vetëm e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.”, ka thënë ai.

Gjinovci theksoi se KShC vazhdimisht është përballur me presione të ndryshme, të cilat janë kujdesur edhe për ‘shkatërrimin e reputacionit’ të personave të caktuar.

Tutje ai shtoi se forma më të buta të presioneve kanë ardhur edhe nga universitetet publike, përmes Konferencës së Rektorëve.

Anëtari i Komisioni parlamentar për Arsim, Driton Çaushi tha se zgjidhja për arsimin duhet të jetë përtej politikës.

Sipas tij, fakti se një organizatë joqeveritare nxjerr këto probleme e jo institucionet që e kanë obligim, flet shumë.

“Fakti se janë hapur shtatë universitete publike tregon mjaft. Fakti se ekziston një Koordinator i Arsimit dhe Kulturës, i cili organizon teste në nivel nacional flet shumë. Kemi pasur raportimin e rektorëve të këtyre universiteteve publike, e të cilët luftonin për interesa të ngushta të tyre, e jo të institucioneve. Shpresat nuk i mbaj as te Akademia e Shkencave sepse e ka fatin e njëjtë”, ka theksuar deputeti.

Anëtarja tjetër e KShC-së, Rozafa Koliqi ka thënë se e ka cilësuar si të tepruar ekzistimin e 34 institucioneve të arsimit të lartë për një milion banorë.

Përveç kësaj, ajo tha se numri i programeve studimore të Mjekësisë në vendin tonë ka arritur kulmin.

“Ne e kemi marrë një letër prej Sindikatës së Shëndetësisë, e cila tregon se si të gjitha institucionet private te arsimit të lartë, po i shfrytëzojnë institucionet publike për praktikë të studentëve. Ai institucion publik nuk e merr asnjë cent për praktikën që po e bëjnë studentët e institucioneve private. Jo me marr mentori apo doktori pagesë por duhet me marrë ShSKUK-ja”, ka shtuar profesoresha Koliqi.