Gjyqtari Jep Dorëheqje, Dështon Seanca

Mungesa e një anëtari të trupit gjykues bëri që të dështojë seanca në gjykimin e Shpend Lilës, i cili akuzohet për krim të organizuar.

Kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj-Hyseni, tha se përkundër përpjekjeve nuk ka arritur të gjejë zëvendësim për Nexhmedin Sejdiun, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit.

“Po fillojmë pak me vonesë mirëpo bëra përpjekje me siguru anëtarin e tretë të trupit gjykues, meqenëse gjyqtari i mëparshëm ka dhënë dorëheqje”, tha gjyqtarja Hyseni.

Për shkak të moskompletimit të kolegjit u vendos që seanca e radhës të mbahet më 30 shtator.

“Në pamundësi të mbajtjes së shqyrtimit të sotëm gjyqësor, për shkak se trupi gjykues nuk është komplet, Gjykata merr aktvendim shtyhet seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor në kohë të caktuar, më 30 shtator prej orës 9:30”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Prokuroria Speciale kishte akuzuar Shpend Lilën, Tonin Gremën dhe Ahmet Isufajn për krim të organizuar lidhur me veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e narkotikëve.

Po ashtu, në këtë rast qenë akuzuar edhe Altin Alushi, Petrit Nikqi dhe Astrit Hasanaj.

Gjykata Themelore i kishte shpallur më 2013 këta të akuzuar fajtorë, duke i dënuar me burg dhe gjobë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë aktgjykim duke e kthyer lëndën në rigjykim.

Gjykata ka veçuar lëndën për Shpend Lilën pasi që i njëjti në momentin kur u bë rigjykimi i këtij grupi ishte i paarritshëm për Gjykatën.