Situata me COVID-19 në Spitalin e Gjilanit, flet drejtori Nisret Hajrullahu

Numri i pacientëve të cilët dyshojnë për COVID-19 dhe kërkojnë ndihmë mjekësore në Klinikën Infektive ka filluar të rritet, por një rritje e tillë nuk është edhe në Spitalin e Gjilanit.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, në një përgjigje për KALLXO.com tha se numri i pacientëve të cilët dyshojnë për infektim me coronavirus nuk është rritur, edhe pse numri i rasteve të të infektuarve është rritur në nivel vendi.

“Në spital nuk është shtuar numri ende e kemi diku 18, 19, 20 sillet numri”, tha Hajrullahu.

“Tre pacientë janë në CPAP (maskë e cila u ndihmon pacientëve të cilët kanë probleme me frymëmarrje) dhe janë në gjendje më të rëndë, gjithsej janë 13 pacientë me oksigjen të cilët janë të hospitalizuar”, tregon tutje ai.

Në komunë e Gjilanit sot janë shënuar edhe 18 raste të infektimit me COVID-19 përderisa në nivel vendi janë shënuar 205 rasteve me SARS- CoV-2, ndërsa rezultojnë të shëruar 62 persona të tjerë.

Kosova është duke u përballuar me pandeminë e coronavirusit që nga muaji mars i këtij viti, që nga rasti i parë e deri më tani janë infektuar 18 mijë e 148 persona, prej tyre janë shëruar 15 mijë e 150 ndërsa kanë vdekur 666.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.

Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19.