Ndikimi i ushtrimeve fizike në përmirësimin e kujtesës

Një studim i fundit i kryer në Argjentinë e zbulon mundësinë intriguese që aktiviteti fizik jo vetëm që mund ta parandalojë rënien njohëse (kognitive), por mund të stimulojë potencialisht krijimin e qelizave të reja të trurit edhe në moshë madhore. 

Neuroshkencëtarët dhe teknologët kanë demonstruar se përfshirja në vetëm 25 minuta ushtrime në një biçikletë stërvitore mund ta përmirësojë kujtesën hapësinore, një lloj memorie thelbësore për navigimin dhe rikujtimin e informacionit hapësinor, madje edhe në mesin e individëve që janë zakonisht të ulur.

Studimi, i udhëhequr nga neuroshkencëtari Fabricio Ballarini nga Instituti Teknologjik i Buenos Aires dhe Instituti i Biologjisë Qelizore dhe Neuroshkencave të Universitetit të Buenos Aires, fokusohet në një lloj specifik të memories hapësinore të quajtur “Ndarja e modeleve”. Ky funksion i kujtesës, kritik për përpunimin e informacionit hapësinor, besohet të jetë i lidhur ngushtë me formimin e neuroneve të reja në një rajon të trurit të quajtur gyrus i dhëmbëzuar brenda hipokampusit.

Në qendër të këtij procesi është faktori neurotrofik i rrjedhur nga truri (BDNF), një proteinë e lidhur me rritjen dhe shëndetin e neuroneve, e cila rritet me ushtrimin fizik. Duke përdorur teknologjinë e realitetit virtual, studiuesit bashkëpunuan me institucione si Këshilli Kombëtar i Kërkimeve Shkencore dhe Teknike (CONICET) dhe Universiteti Kombëtar i Qendrës për Provincën e Buenos Aires (UNICEN) për ta studiuar përmirësimin e kujtesës hapësinore te njerëzit.

Studimi përfshiu 98 vullnetarë të moshës nga 18 deri në 40 vjeç, të cilët naviguan në një peizazh virtual të shkretëtirës të projektuar në mure dhe dysheme në një mjedis të kontrolluar. Pas memorizimit të vendndodhjes së flamujve në hapësirën virtuale, pjesëmarrësit u caktuan rastësisht që, ose të angazhohen në ushtrime fizike me biçikletë ose të shikojnë një video ndërkohë që ishin ulur. Të nesërmen, pjesëmarrësit u kthyen për t’i gjetur përsëri flamujt.

Rezultatet zbuluan se ata që merreshin me ushtrime fizike treguan përmirësim të dukshëm të kujtesës hapësinore në krahasim me grupin që kishte qëndruar ulur. Kjo sugjeron një lidhje të mundshme midis aktivitetit fizik, niveleve të ngritura të BDNF dhe përmirësimit të kujtesës hapësinore të ndërmjetësuar nga neurogjeneza në gyrusin e dhëmbëzuar.

Implikimet e studimit shtrihen përtej shëndetit kognitiv, me aplikime të mundshme për adresimin e deficiteve të kujtesës që lidhen me plakjen dhe sëmundjet neurodegjenerative, të tilla si Alzheimer. Duke i kuptuar mekanizmat përmes të cilëve stimujt e jashtëm ndikojnë në formimin e kujtesës, studiuesit synojnë të zhvillojnë ndërhyrje të synuara për të forcuar funksionin kognitiv.

Ndërkohë që ky studim përfaqëson një progres të rëndësishëm në të kuptuarit e marrëdhënies midis aktivitetit fizik dhe neurogjenezës, nevojiten kërkime të mëtejshme për të vendosur përfundimisht kauzalitetin dhe për t’i sqaruar mekanizmat themelorë. Sidoqoftë, ai ofron njohuri premtuese mbi potencialin e ndërhyrjeve në stilin e jetës për ta promovuar shëndetin e trurit dhe për të luftuar rënien njohëse./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala