Europa po përballet me ringjalljen e fruthit për shkak të shkallës së ulët të vaksinimit  

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur kufizime për fëmijët e paimunizuar në Birmingham, ndërkohë që Rumania ka shpallur një epidemi kombëtare pasi u raportuan tri vdekje.

Autoritetet europiane paralajmëruan për rrezikun që paraqet vaksinimi i ulët kundër fruthit dhe parashikimet më të këqija janë realizuar. Sëmundja është lehtësisht e parandalueshme me dy doza vaksinash, dhe praktikisht u zhduk në Europë gjatë izolimit të COVID-19. Por në muajt e fundit, ajo është ringjallur, dhe shumë fuqishëm në disa zona.

Tre persona – dy prej tyre foshnje – kanë vdekur në Rumani, e cila e shpalli fruthin një “epidemi kombëtare” në muajin dhjetor. Në Mbretërinë e Bashkuar, dhjetëra fëmijë janë shtruar në spital në qytetin e Birmingham-it që nga nëntori, sipas mediave lokale, autoritetet britanike po i detyrojnë të miturit e pavaksinuar në qytet të izolohen në shtëpi nëse kanë qenë në kontakt me dikë që është i sëmurë. 

Austria ka luftuar kundër fruthit që nga fillimi i vitit 2023 me disa shpërthime që kanë çuar në afro 200 raste. Ndërsa në një shkollë në Guilherand-Granges, në departamentin francez të Ardèche, dhjetëra fëmijë të pavaksinuar u infektuan, me 60 raste të zbuluara dhe disa pacientë të shtruar në spital.

Sipas statistikave të vitit 2022 nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), mbulimi mesatar i vaksinimit në Bashkimin Europian është dukshëm më i ulët – 92.4% për dozën e parë dhe 89.7% për të dytën. ECDC, megjithatë, paralajmëron se këto përqindje kanë shënuar rënie në vende si Rumania gjatë dekadës së fundit, duke rënë respektivisht në 78% dhe 62%.

“Numri i përgjithshëm i rasteve të fruthit në BE/EEA është në rritje të vazhdueshme që nga qershori i vitit 2023. Duke marrë parasysh mbulimin jooptimal të vaksinimit për dozën e dytë ≥95% në shumicën e vendeve të BE/ZEE priten më shumë raste të fruthit në muajt e ardhshëm dhe në pranverë”-paralajmëron EDCD në raportin e fundit të kërcënimeve të sëmundjeve ngjitëse.

Vitet e fundit, autoritetet e shëndetit publik janë përballur me vështirësi të shtuara, të tilla si lëvizja kundër vaksinave dhe sfida e përcjelljes së mesazheve të shëndetit publik te grupet që mund të ndërpriten për shkak të situatës së tyre socio-ekonomike ose kulturore.

Vaksina e fruthit jepet në dy doza: e para kur fëmija mbush një vjeç dhe e dyta kur ai i mbush tri ose katër vjet, në varësi të autoriteteve shëndetësore vendase. Vaksina e fruthit mbron edhe nga rubeola dhe shytat, për këtë arsye quhet vaksina MMR.

Sëmundja transmetohet nga kontakti me personin tashmë të infektuar ose nëpërmjet aerosoleve (pikat mikroskopike të pështymës që notojnë në ajër). Pas një periudhe inkubacioni prej shtatë deri në 14 ditë, simptomat e para shfaqen si temperaturë e lartë, kollë dhe rrjedhje hundësh. Skuqja karakteristike e lëkurës vjen nga tri deri në pesë ditë më vonë. Komplikimet më të rrezikshme që mund të çojë virusi janë pneumonia, sëmundjet neurologjike dhe verbërimi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka vendosur objektivin e mbulimit 95% të vaksinave për ta çrrënjosur këtë sëmundje. Ideja është të arrihet i ashtuquajturi imunitet i tufës, që do të thotë se ata që nuk mund të imunizohen (për shembull, për shkak të moshës) janë gjithashtu të mbrojtur. Me fjalë të tjera, i gjithë komuniteti, jo vetëm individi, është i mbrojtur.

Në Rumani, dy nga tri vdekjet ishin foshnja shtatë muajshe, të cilat ende nuk kishin mundur ta merrnin vaksinën. Për arsye sigurie, nuk duhet të administrohet derisa fëmija të mbush një vjeç, megjithëse në situata krize epidemike, si ajo që prek aktualisht Rumaninë, përdorimi i tij mund të shtrihet edhe tek foshnjat nga 9 deri në 11 muajsh./El Pais

Përgatiti: Nuhi Shala