Protesta që Kërkon Oksigjen në Pallatin e Drejtësisë

Pallati i Drejtësisë sot nuk e ka filluar punën si zakonisht, sepse punëtorët e këtij pallati u mblodhën në orën 8 para objektin për të protestuar për shkak të mungesës së kushteve. Më konkretisht ata kërkonin oksigjen.

Kryetari i Sindikatës së Judikaturës, Asllan Rusinofci tha se janë tubuar për t’i kërkuar të drejtat e tyre.

“Sot nuk jemi tubuar për të rrëzuar Qeveri, nuk jemi për të rrëzuar pushtet, por jemi tubuar për t’i kërkuar të drejtat tona edhe me i mbrojt punëtorët ekceset që po ndodhin çdo ditë. Këtu janë të gjitha gjykatat që janë në këtë objekt, duke filluar nga gjykata Supreme, Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, Gjykata e Apelit, Prokuroritë”, tha Asllan Rusinofci.

Ai tha se ndër kërkesat e tyre është edhe ajrosja e zyrave ku punojnë.

“Kërkesa jonë është së pari që të rregullohet ajrosja e zyrave të objektit, e cila ajrosje është nën minimumin e  paraparë”, tha ai.

Ai tha se nuk do t’i kthehen punës derisa inspeksioni i punës t’i konstatojë dhe t’i evitojë gabimet në këtë objekt.

Përfaqësuesi i prokurorive, Sadri Llumnica tha se me të ardhur në këtë objekt kanë dërguar shkresa për problemet që i kanë hasur në këtë objekt.

“Mundem me ju thanë se me ardhjen në këtë objekt ne gjithnjë me shkresa ju kemi drejtuar këtyre organeve, siç e kam thënë edhe më parë. Mirëpo, problemet që kemi hasur në këtë objekt janë këto – fillimisht janë ashensorët, asnjë dritare në ndërtesë, është problem i ujit të pa pijshëm, rrjedhja e gypave, problem i ajrit, problem i klimave”, tha Llumnica.

Shpëtim Rexhepi, punëtor në Gjykatën e Apelit, tha se nuk është i kënaqur me kushtet në Pallat.

“Sa i përket kushteve të pallatit nuk jemi të kënaqur asnjë punëtor. Dëgjuat rastin me lift. Dje kolegët tanë të cilët mbetën në lift, kushtet janë, mundem me thanë, mizërie. Asnjë punëtor nuk është i kënaqur. Faktikisht nuk ka as siguri, as telefonat, as rrjeti nuk bën. Nëse të vyen një telefon me bisedu, duhet me dalë jashtë pallatit për me pas rrjet, as ushqim nuk ka”, tha Rexhepi.