Pronarët e Deponive të Veturave Protestojnë te Dogana

Pronarët e 50 deponive të veturave në Kosovë janë mbledhur para selisë së Doganës së Kosovës për të protestuar kundër shumës së tatimit që paguajnë për veturat e importuara.

Pjesëmarrësit thanë se kanë dalë në protestë arsye se Dogana që nga viti 2013 obligon të gjitha autoserviset të paguajnë shumën e njëjtë të tatimit sikur të ishin vetura të reja dhe jo vetëm 28% siç ishte para vitit 2013.

Burim Habibaj, pronar i deponisë së veturave “Albani” nga Mitrovica, thotë se për veturat e aksidentuara dogana po u kërkon pagesë të njëjtë me atë të veturave në gjendje të mirë.

“Automjetet që i blejmë në Kosovë, që janë të aksidentuara që nuk kanë të drejtë me dal në qarkullim, ata na detyrojnë me bo pagesën si kerr të rregullt. Nuk na lejojnë me bo pagesën si për autopjesë po për kerr të rregullt. Ai kerr vlen 200 euro e të detyron me pagu doganën si kerr i rregullt, nuk lejojnë me sjellë kerre nga jashtë, me defekte, e ata të detyrojnë me bo pagesën si për doganë”, tha ai.

Andaj, Habibaj kërkon që të paguajë vetëm 28 përiqnd siç ka qenë deri në vitin 2013.

“Ne po kërkojmë me bo pagesën e doganës qysh ka qenë me 28 përqind, e jo me bo si kerr i rregullt. Deri në 2013 ka qenë ky ligj e prej 2013-ës nuk ekziston mo ai ligj. Kolegut në Ferizaj ja kanë konfisku 18 automjete edhe e kanë dënu”, shtoi ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriaktik Stavileci tha se protestuesit i kanë paraqitur këresat e tyre në Doganë edhe javën e kaluar.

“Ne si doganë i kemi pranuar kërkesat e tyre, e kemi pranuar letrën e cila përmban disa kërkesa dhe zyra jonë ligjore është duke u marrë me të. Dogana kërkon taksën doganore dhe taksën e akcizës, ka raste të caktuara kur automjetet janë më të vjetra dhe taksa e akcizës është shumë e lartë”. Tha Stavileci.

Konfiskimi i veturave sipas Stavilecit bëhet në momentin kur ato nuk kanë asnjë procedurë doganore të kompletuar sepse konsiderohen si automjete të kontrabanduara.

“Veturat kanë paguar taksën doganore që është 10 përqind, kanë paguar TVSH-në që është 18 përqind dhe kanë paguar taksën e akcizës që është specifike në bazë të kubikazhës së automjetit dhe në bazë të vjetërsisë së automjetit”, tha zëdhënësi i Doganës së Kosovës.

Kjo është kërkesa e dytë që dorëzohet nga pronarët e deponive të veturave tek Dogana e Kosovës.

Musa Damati, avokat i cili përfaqëson këta pronarë të kompanive të autoserviseve tha se sot po dorëzohet kërkesa zyrtare e këtyre pronarëve që të ndalohet konfiskimi i veturave në autoservise në nivel të Kosovës.

Ai shtoi se kërkesa tjetër është që t’u lejohet doganimi i veturave, në të kundërtën paralajmërohet padi në adresë të doganës.

Avokati Damati ka hyrë në seli të Doganës për t’ua dorëzuar autoriteteve doganore listën e kërkesave të auto-serviseve.