Një logo e sugjeruar për organizatën fantazmë | Foto: Përpunim i simboleve të ndryshme me licensë të hapur përdorimi

Prokurori Tërhiqet nga Akuza ndaj Nexhat Behlulit në Rastin Harausham

Prokurori Elez Blakaj ka vendosur të mos e ndjekë më penalisht Nexhat Behlulin, njërin nga të akuzuarit për pjesëmarrje në grup terrorist në rastin “Harausham”.

Lajmin për heqjen dorë nga aktakuza ndaj Behlulit e bëri të ditur avokatja Hedije Ademi.

Në këtë proces gjyqësor përveç Nexhat Behlulit, i akuzuar është edhe Arben Livoreka.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës akuzon Arben Livorekën dhe Nexhat Behlulin se kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë përkrah organizatave terroriste.

Behluli dhe Livoreka kishin pranuar fajësinë dhe ishin dënuar me nga 3 vjet e 6 muaj burg, ndërsa kishin tërhequr pranimin e fajësisë në Gjykatën e Apelit, gjykatë kjo që e riktheu në rigjykim këtë rast, pasi evidentoi një varg shkeljesh.

KALLXO.com kishte raportuar se organizata terroriste për të cilën prokuroria pretendonte se quhet “Harausham”, në fakt nuk ekzistonte.

Duke u interesuar lidhur me ekzistencën e kësaj organizate KALLXO.com dërgoi pyetje në disa institucione relevante për të ditur më shumë për organizatën “Harausham”, por u përball me heshtjen e këtyre institucioneve.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, më 13 korrik të këtij viti, prokurori i ri i kësaj çështje, Elez Blakaj, precizoi aktakuzën.

“Në çdo vend në aktakuzë ku është e shkruar “Harausham”, kërkojmë që të përmirësohet në ‘Ahrahal Sham’”, kishte precizuar Blakaj.

Blakaj e arsyetoi këtë propozim me faktin se emri “Harausham”, është përkthyer nga anglishtja nga lista e organizatave terroriste.