Rafet Prekazi krenar me lojtarët që zbatuan idetë e tij

Trajneri i kombëtares së Kosovës U21, Rafet Prekazi, ka lavdëruar lojtarët e tij dhe i ka falënderuar “nga zemra” që i realizuan idetë e tij në lojën kundër Turqisë, e vlefshme për kualifikimet për kampionatin Euro 2021.

“I falënderoj lojtarët prej zemrës që idetë e mia u janë ngulitur në kokë. Janë lojtarë inteligjentë. Fitorja e jonë është më se e merituar”, tha trajneri Prekazi pas fitores 3 me 1 ndaj Turqisë.

VIDEO: Kosova e mposht Turqinë

Trajneri Prekazi tha se motiv i madh për lojtarët e tij ka qenë fitorja e mbrëmshme e kombëtares së Kosovës në Sofje.

“Koha po punon për futbollin e Kosovës”, tha ai.

Mbrëmë kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur Bullgarinë vendase me rezultat 3 me 2 në Sofje, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Euro 2020.