Afrim Shabani- Oftalmologu

Problemet me sy te fëmijët dhe trajtimi

Problemi i fëmijëve me të pamurit është shqetësim që kërkon trajtim të shpejtë e profesional. Sot ka më shumë fëmijë që bartin syze, por jo për shkak se në të kaluarën ka pasur më pak sëmundje po për shkak se sot vizitat te mjeku janë më të shpeshta thotë për KALLXO.com Oftalmologu Afrim Shabani.

“Nëse më parë fëmijët kanë pasur më pak syze që janë parë rrugës apo në shkollë nuk ka qenë që nuk ka pasur probleme me sy por ka mungu një kontrollë e thjeshtë te mjeku apo oftalmologu. Gjithsesi jeta e avancuar me teknologji përdorimi i telefonave të mençur e ka rrit problemtatikën por duhet theksuar që nuk është shkaku kryesor që një fëmijë nuk do të sheh. Janë një sërë faktorësh për me i ndihmu atij fëmije në zhvillimin e të pamurit”, tha ai.

Sipas tij duhet parë me kujdes se cilët janë faktorët që mund të ndikojnë në paraqitjen e sëmundjeve për të bërë një trajtim të duhur te fëmija. Doktor Shabani tregon se çfarë probleme specifike mund tw kenë fëmijët me sy.

“Duke fillu që nga sëmundjet e ndryshme, duke u nis që kemi sëmundje të lindura që pengojnë të pamurit. Pastaj grupi tjetër që ne e quajmë anomali retroaktive pjesa tjetër është kur kemi probleme me strabizëm apo ikje të syrit të gjitha këto grupe shkaktojnë mos-zhvillime  të pamurit. Po ashtu kemi edhe probleme që varen nga vetë mosha e fëmijës duke filluar nga të porsalindurit, ata në shkollë të gjithat i kanë specifikat e veta dhe anomali të ndryshme që pengojnë në zhvillimin e  të pamurit”.

Doktori thotë se ndikim të madh në shërimin e sëmundjeve të syrit ka koha e paraqitjes te mjeku, pasi që sipas tij janë disa lloje të anomalive që e kanë kohën e trajtimit të tyre.

“Ajo që duhet të ceket është që çdo anomali apo sëmundje nëse zbulohet herët ajo parandalohet madje në këto raste themi se duhet të merret edhe shteti me këtë problematike dhe problemet që shkaktohen në sy dhe nuk trajtohen me kohë do të kenë probleme në të ardhmen. Themi kështu se kjo ndikon edhe në zgjedhjen e profesionit, për fat të keq problemet që mund t`i ketë me sy mund të ndikojnë dhe kjo vetëm pse ka mungu një kontakt i hershëm me mjekun e syve. E them këtë për shkak se ne sot e kemi një problem që pacienti vjen për herën e parë te mjeku i syve në moshën 15-20 vjeçare”, tha Shabani.

Doktor Shabani tregon se kur duhet prindërit të dërgojnë fëmijët për kontrollë te oftalmologu.

“Në mënyrë rutinore duhet sjellë fëmijët e porsalindur, po vërejtën diçka duhet menjëherë te mjeku përndryshe themi se nuk ka ndonjë problem fëmija posa t`i mbush një vjet është mirë që fëmija të vijë te mjeku i syve. Shumë prindër thonë se është herët nuk ka mundësi për ta ditur mjeku se a po shikon fëmija. Neve nuk na intereson në atë fillim sa po shikon ne do të kontrollojmë ndonjë anomali që do t`i pengoj në zhvillimin e të pamurit. Gabimet që i bëjnë prindërit është që thonë se doktor unë e kam vërejtë ai sheh shumë mirë. Nuk ka mundësi ta vërej sa sheh fëmija, ndodhë që fëmija sheh shumë mirë me një sy po syrin tjetër e ka një dioptri dhe në ato raste fëmija funksionon vetëm me një sy dhe çka ndodhë është që fëmijës i zhvillohet vetëm një sy e syri tjetër mbetet dembel“, tha ai.

Shabani thotë se kujdes duhet kushtuar edhe shenjave të vogla që fëmija mund t’i jap gjatë jetës së përditshme.

“Ato shenjat e para janë nëse fëmijët fillojnë me i afru sendet afër, ose thotë prindi fëmija jem gjithmonë i ka afru senet afër por unë e kam largu, ajo është gabim prapë largoje ai prapë ka me i afru se nuk sheh, nuk e ke zgjedh problemin që e ke largu. Mirëpo ajo është një shenjë që duhet me dërgu te mjeku i syve”, tregon Shabani.