Mirel Josa: Kam besim te Prishtina

Trajneri i Prishtinës Mirel Josa, ka folur për faqen zyrtare të klubit, para ndeshjes ndaj Feronikelit, që do ta zhvillojnë të mërkurën në  stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë prej orës 17:00.

Kjo ndeshje zhvillohet në kuadër të xhiros së 21-të në Superligë.

Feronikeli është në vendin e parë me 48 pikë, ndërsa Prishtina në të dytin me 43 pikë.

Josa ka thënë se nesër duhet të jenë të qetë, pavarësisht se i mungojnë tre lojtarë për arsye të kartonëve skuadrës së tij dhe ka besim te ‘bardhekaltrit’.

“Normale, ndeshja do të ishte përcaktuese si do që të ishte ndeshja. Ne duhet të jemi të qetë, të qetë për faktin që pavarësisht na mungojnë tre lojtarë me kartonë në ndeshje me Llapin dhe po i kthehem sërish asaj ndeshje, do të duhej të ishim shumë më të qetë, të paktën përveç dëmtimit në pikë mos të dëmtoheshim edhe me lojtarët që do të na mungojnë. Megjithatë kam besim te skuadra”, është shprehur trajneri nga Shqipëria.

Ndërsa mbrojtësi Ahmet Haliti ka thënë se e njeh mirë Feronikelin dhe janë në formë të mirë, por kjo gjë nuk i intereson atyre pasi shpresojnë t’i ndalin tri pikë në shtëpinë e tyre.

“E njoh shumë mirë skuadrën e Feronikelit ku kam luajtur dy vite aty. Kanë shumë cilësi dhe janë në formë të mirë. Por, neve nuk ka intereson fare ekipi kundërshtar, por ne duhet të shohim vetëm veten tonë. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjet e fundit t’i përmirësojmë dhe normalisht në ndeshje të hyjmë vetëm për fitore për ta zbutur distancën që e kanë ndaj nesh. Megjithatë, duhet t’i qasemi me mjaft qetësi ndeshjes, duke mos hyrë me eufori dhe shpresoj që me një lojë të mirë t’i arrijmë tre pikë që janë shumë të nevojshme për ne në këto momente”, ka thënë qendërmbrojtësi Ahmet Haliti.