Memorandum për 3 rrugë, Lladrovci e Lekaj nuk e përmendin rrugën e tramvajit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë nënshkruar një memorandum për financimin e 3 projekteve infrastrukturore.

Sipas memorandumit, në tri vitet e ardhshme në territorin e Drenasit do të ndërtohen tri rrugë të reja në vlerë prej 1 milion e 200 mijë eurove.

Dikasteri që udhëhiqet nga Pal Lekaj do të investojë në ndërtimin e rrugës Vuqak- Tërdec, Gradicë- Zhilivodë dhe shtrimin e rrugës së re Kroni i Mbretit- Liqeni i Vasilevës, njoftoi Komuna e Drenasit në faqen e saj në ‘Facebook’.

Kreu i Drenasit ka paralajmëruar edhe një projekt tjetër infrastrukturor.

“Lladrovci ka thënë se ditëve në vijim do të nënshkruan edhe një aneks marrëveshje për financimin e projektit për rrugën Kroni i Mbretit në drejtim të Drenasit në vlerën prej 1.300,000 euro”, thuhet tutje në njoftimin e Komunës.

Por, si duket i pari i Drenasit ka harruar një premtim të dhënë në fillim të këtij viti.

Pas një vizite të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselis dhe dy ministrave, Abelard Tahiri e Uran Ismaili, Ramiz Lladrovci kishte publikuar një listë të investimeve kapitale për komunën e Drenasit.

Lladrovci në listën e tij kishte futur edhe ndërtimin e rrugës së tramvajit Drenas – Komoran-Kroi i Mbretit – Stadiumi Nacional.

E ky projekt nuk është përmendur në takimin mes ministrit Lekaj dhe kryetarit Lladrovci.

KALLXO.com kishte raportuar për takimin ndërmjet kryetarit të PDK-së dhe Lladrovcit në fillim të këtij viti, ku edhe I pari I Drenasit kishte premtuar ndërtimin e rrugës për tramvaj.

https://kallxo.com/lladrovci-do-te-ndertojme-rrugen-e-tramvajit-drenas-komoran/

www.kallxo.com