Librat - Foto: KALLXO.com

Mbijetesa e librit shqip mbi censurën e ndalimin

Libri shqip dhe intelektualët shqiptarë janë përballur me tragjedi nga më të ndryshmet gjatë historisë.

Përveç censurës dhe ndalimet të librave të tyre në gjuhë shqipe, shumë krijues shqiptarë iu nënshtruan persekutimeve të ndryshme deri në vdekje.

Për fat të keq nuk ishin vetëm pushtetet e huaja, osmane apo ato serbo-jugosllave që ndalon librat dhe persekuton intelektualët.

Gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri shumë krijues dhe intelektual shqiptarë u shpallën ‘armiq’ të sistemit dhe për rrjedhojë u burgosën, u persekutuan dhe shumë prej tyre u dënuan me vdekje.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe çlirimit të Kosovës, libri dhe krijuesi shqiptar vazhduan të sulmohen dhe pengohen në mënyra të ndryshme, deri në etiketime dhe djegie të librave të tyre, siç ndodhi me librin “Këmbët e gjarprit” të Veton Surroit dhe atë të Blendi Fevziut për Enver Hoxhën.

Gjithë ky kalvar që ka kaluar libri shqip dhe krijuesi i fjalës së lirë e bënë shënimin e Ditës ndërkombëtar të Librit të Ndalura një ngjarje me rëndësi për librin dhe fjalën e lirë shqipe.

Lulëzimi në kushte të egra

Shkrimtari Zeqir Fazliu ka pohuar për Kallxo.com, se në të kaluarën kishte censura të tmerrshme.

Censura, ka thëna ai,  bëhej nga okupatorët që nuk donin të shkruhej e të flitej shqip.

“Papa Kristo Negovanin e vranë grekët, sepse shkroi shqip. Edhe Turqia nuk lejonte të hapeshin shkolla shqipe, e as të shkruhej shqip. Kështu vepronte edhe Serbia. Pra, për shkrimin shqip ishte diçka shumë më shumë se censura”, ka thënë ai.

Ndërsa kritiku Ilir Muharremi ka pohuar për KALLXO.com se historikisht krijuesi dhe libri shqip është përballur me situata të vështirë, dhe siç ka thënë ai, bima e brishtë e letërsisë shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore.

“Ajo herë mbinte e lulëzonte dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të Ballkanit”, ka pohuar Muharremi, duke përmendur edhe goditje që morën krijuesi dhe libra shqip pas Luftës së Dytë Botërore.

Autocensura

Pavarësisht lirisë së shprehjes, autocensura po del të jetë armiku më i madh që po  ‘godet’ krijuesit në kushtet e demokracisë.

Studiuesi Argjend Hasani ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se ajo që sot e bën një autor të heqë dorë nga idetë e tij për krijimin e një libri janë paragjykimet, frika nga reagimet negative në opinion,  apo, siç shton ai më tej,  edhe lindja e konvergjencave me individët e caktuar ku në një mënyrë a tjetër atakohen interesat.

“Varësisht nga tematika dhe përmbajtja e botimit shkaktohet reagimi. Reagimi apo reaksioni sot shkaktohet tek botimi i librave të cilat thuajse nuk mbështetet në vërtetësi dhe në ato që shpifin dhe hiperbolizojnë ose në rastin tjetër tentohet që të hidhet dritë për një të vërtetë dhe botuesit kërcënohen”, ka pohuar Hasani.

Zakonisht, sipas tij, atakohen botimet lidhur me temat që kanë të bëjnë me të kaluarën e afërt dhe aktualitetin dhe ngjarjet kontradiktore të sferës politike dhe ekonomike.

“Kështu që autorët frikësohen nga kërcënimet dhe ndikimet dhe autorët heqin dorë në trajtimin dhe botimin e veprave me tematikë hulumtuese”, ka thënë krijuesi Hasani.