Prokuroria Themelore Prishtine

Tre vëllezër po akuzohen se kanë përjashtuar vëllanë tjetër nga ndarja e pjesës së domosdoshme e pasurisë

Tre vëllezër po akuzohen se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme kanë përjashtuar vëllanë e tyre N.T. (tanimë i ndjerë) nga ndarja e pjesës së domosdoshme të pasurisë (1/7 e pasurisë).

Prokuroria e Prishtinës më 22.06.2022 kishte pranuar kallëzim penal nga N.T. përmes avokatit të tij, të ushtruar kundër vëllezërve të tij M.T., Q.T., dhe D.T.

Pas vdekjes së N.T., bashkëshortja e tij, S.T., si trashëgimtare e bashkëshortit të saj, në deklaratën e dhënë në Prokurori kishte thënë se pasuria e bashkëshortit të saj kishte qenë e përbashkët me vëllezërit e tij dhe pasi babai i bashkëshortit të saj kishte ndërruar jetë në vitin 2011, pas asaj kohe të njëjtit nuk kishin pasur informata se çfarë kishte ndodhur me pronat tokësore.

Tutje, ajo në Prokurori kishte thënë se bashkëshorti i saj para se të ndërronte jetë kishte provuar të komunikojë me vëllezërit e tij rreth çështjeve pronësore, por se vëllezërit e tij nuk kishin dashur të diskutojnë rreth kësaj çështjeje.

S.T. tutje në Prokurori kishte thënë se vëllezërit e bashkëshortit të saj djalit të saj i kishin propozuar një parcelë dhe një shumë parash në vlerë dhjetëra mijëra euro, por se nuk e kanë pranuar pasi që, sipas saj, parcela që u është ofruar nuk e ka vlerën e parcelës nga e cila, sipas saj, ata kanë përfituar qindra mijëra euro.

Lidhur me këtë çështje në Prokurori kishin dhënë deklaratë edhe të pandehurit M.T., Q.T. dhe D.T.

Të pandehurit lidhur me këtë çështje kishin deklaruar se babai i tyre Z.T. para vdekjes e kishte lënë një testament në të cilin ua kishte ndarë pasurinë fëmijëve të tij, dhe ata kishin thënë se babai i tyre nuk i kishte lënë pasuri vëllait të tyre N.T.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së datës 25.03.2025, M.T., Q.T. dhe D.T. po akuzohen se nga viti 2013 dhe në vazhdimësi deri në vitin 2020 pas një marrëveshjeje paraprake në bashkëkryerje kanë vënë në lajthim organin kompetent – noterët, ashtu që me dokument të rremë kanë vërtetuar një çështje të pavërtetë me autorizim të datës 22.02.2010, i cili nuk prodhon efekte juridike pasi që autorizimdhënësi, tani i ndjeri Z.T. kishte ndërruar jetë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur me të njëjtin autorizim te noterët kanë lidhur kontratat mbi dhurimin dhe shitjen e paluajtshmërive dhe duke përdorur këtë autorizim e kanë përjashtuar nga ndarja e pjesës së domosdoshme të dëmtuarin N.T. (1/7 e pasurisë), me çka i kanë shkaktuar dëm material.

Me këto veprime të akuzuarit e lartcekur po akuzohen se kanë kryer veprën penale – legalizimi i përmbajtjes së rreme.