Tentoi të shiste pajisje bujqësore të 'vjedhura', arrestohet nga Policia

Një rast i pazakontë ka ndodhur në Pejë. Një person ka tentuar të shiste pajisje bujqësore të cilat nuk kishin qenë pronë e tij.

Ai madje, sipas Policisë, kishte tentuar të shesë ato përmes rrjeteve sociale.

Sipas Policisë, me tre blerës ishin dakorduar me çmimin e ofruar.

I dyshuari është arrestuar me paraqitjen e rastit në Policinë e Kosovës nga pronari i pajisjeve bujqësore.

“Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Istog, me datën 29 korrik 2020, nga ankuesi, Z.ZH. m/k/s, është raportuar se persona të panjohur kishin tentuar që ti vidhnin pajisjet bujqësore të cilat i  ankuesi i kishte marrë donacion.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës thotë se pas një pune operativo-hetimore nga hetuesit e Stacionit Policor në Istog, është arritur të identifikohet dhe arrestohet i dyshuari me iniciale S.M. Me vendim të Prokurorit të shtetit i dyshuari është dërguar në ndalim Policor.