ORCA akuzon Agjencinë Kundër Korrupsionit për standarde të dyfishta për Ujkan Bajrën, AKK e mohon

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) po pretendon se Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka përdorur standarde të dyfishta sa i përket trajtimit të rastit të një konflikti të mundshëm të interesit, duke iu referuar rastit të ish-kryesuesit të këshillit drejtues të UP-së, Ujkan Bajra. që ditë më parë u emërua nga Senati i UP-së si profesor. Por, Anti-Korrupsioni dhe Bajra kanë mohuar akuzat e ORCA-s.

Gjatë ditës së djeshme, ORCA organizoi një aksion para zyreve të AKK duke thënë se i ka ndihmuar Bajrës që të pranohet si profesor.

Sipas ORCA-s, Agjencia Kundër Korrupsion i ka lëshuar dy opinione të ndryshme me njëra-tjetrën në rastin kur është përmendur emri i Bajrës dhe në një rast tjetër kur është kërkuar opinion për pozitën që ai e mbante – kryesues i këshillit drejtues.

“Skandaloz është vendimi që e bën një dëshmi që ne e kemi, që dikush e ka kërkuar një opinion në AKK për çështjen e njëjtë, veçse tash nuk përmendet Ujkan Bajra, por është interpretim i përgjithshëm, mbi parimet e përgjithshme ligjore juridike dhe aty i bëhet AKK pyetje: “Nëse një person anëtar i KD të UP-së a ka të drejtë të punësohet për herë të parë në Universitet si mësimdhënës gjatë kohës kur ai person është anëtar i KD apo pas përfundimit të mandatit?” dhe Agjencia Kundër Korrupsion e ka interpretuar kategorisht si shkelje e rëndë e Ligjit për arsimin e lartë dhe si konflikt të interesit nëse një person punësohet në institucionin që e udhëheq apo që e ka udhëhequr”, thotë Dibran Hoxha nga ORCA për KALLXO.com.

Hoxha thotë se janë të shqetësuar për përgjigjen e AKK-së ndaj rektorit, Naser Sahiti, që i ka thënë ta zbatojë opinionin e 30 prillit të këtij viti, që Anti-Korrupsioni kishte thënë se zgjedhja e Ujkan Bajrës në pozitën e profesorit në UP nuk përbën konflikt të interesit, duke iu referuar konkursit për staf akademik të vitit 2018.

“Në jemi të shqetësuar më përgjigjen e Agjencisë Kundër Korrupsion në drejtim të Rektoratit, për shkak se AKK i ka asistuar Ujkan Bajrës për me u punësu në UP. Ne e përcollëm dje mbledhjen e Senatit që ishte avancimi i tij dhe kjo është absurde për shkak që Ujkan Bajra ka qenë kryesues i KD të UP, dhe kjo përbën qartazi konflikt të interesit”, thotë Hoxha për KALLXO.com.

“Interpretim i AKK është totaliasht kundërthënës dhe ambivalent për shkak se Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit nuk kish pasë kuptim nëse nuk e parandalon konfliktin e interesit. Neni 18 të këtij ligji thotë se zyrtari i lartë s’ka të drejtë të përfshihet në marrëdhënie kontraktore të drejtpërdrejtë me institucionin që ka ushtruar funksion publik deri në 2 vjet”, shton ai më tej.

Ndërsa, nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion kanë thënë për KALLXO.com se nuk kanë lëshuar dy opinione të kundërta, por se kanë pasur adresim të dy situatave të ndryshme.

“Sa i takon rastit të z. Bajra, mbi bazën e kërkesës së tij, dhe të Rektoratit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dhënë përgjigje në pyetjet e tyre, të cilën e keni cituar edhe ju në raportimet tuaja paraprake, e që ka pasur të bëjë me konkursin e vitit 2018 dhe rrjedhën e tij kronologjike pastaj. Pra, përgjigjja e AKK-së është dhënë mbi pyetjen e bërë dhe informacionet e grumbulluara për këtë proces”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kurse, rreth pretendimeve të organizatës “ORCA” se Agjencia Kundër Korrupsion ka thënë se “në një rast tjetër kur Rektorati ka bërë pyetje në AKK, se a konsiderohet konflikt interesi nëse një anëtar i Këshillit Drejtues punësohet si profesor në UP, duhet t’ju sqarojmë se kjo pyetje nuk është se ka qenë e drejtuar nga Rektorati, por nga një emër i përveçëm që për AKK-në është trajtuar si një rast i  rëndomtë dhe si pyetje ka qenë gjenerale, sikurse edhe përgjigjja e AKK-së, pra gjenerale”.

“Ndërkohë, ka qenë një adresim i më vonshëm i Rektorit të UP-së z. Sahiti (dt.8.10.2021) në të cilin ai i është referuar përgjigjes që AKK i ka dhënë personit të tretë, në pyetjen që e keni cituar edhe ju”, thuhet më tej në përgjigjen e AKK-së.

AKK thotë se vazhdon të jetë akoma pa drejtor ekzekutiv, dhe kjo situatë ka vështirësuar në masë të madhe komunikimin me shkresa zyrtare.

“Pikërisht këtë ditë (8.10.2021) nga AKK është telefonuar z. Sahiti dhe në bisedë e sipër është kuptuar se fjala është për rastin e z.Bajra. AKK i ka sqaruar se për këtë rast ju kemi dhënë përgjigje”, thuhet më tej.

Sipas tyre, në ndërkohë kanë pranuar pyetje nga gazetarë tjerë, ka pasur interesim edhe nga vetë  Bajra me kërkesën e njëjtë si të rektorit Sahiti, se ka ngecë procesi i  përzgjedhjes se personelit akademik në UP në pritje të përgjegjes nga AKK.

“Dhe me dt.5 nentor 2021, Agjencia Kundër Korrupsionit i ka përcjellë një sqarim Rektorit të UP-së z. Naser Sahiti duke i shkruar tekstualisht kështu: “Në lidhje me kërkesën e Universitetit të Prishtinës (DPKI-06-389/21) që korrespondon me temën e njëjtë sikur edhe kërkesa paraprake e z.Ujkan Bajra (DPKI-06-245-21), Agjencia Kundër Korrupsionit ka trajtuar situatën në detaje dhe konform Ligjit për Parandalimin e konflikti të interesit nr.06/L-011, me datë 20.04.2021, ka dhënë Opinionin zyrtar (DPKI-06-01/1172/21). Agjencia kundër Korrupsionit këtë rast e konsideron të sqaruar dhe për këtë situate vlen Opinioni i dhënë sipas referencave të lartshënuara”. (Bashkangjitur Opinioni i AKK-së dt.30 prill 2021)”, thuhet në përgjigjen e Anti-Korrupsionit për KALLXO.com.

AKK shton se përveç kësaj, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka pranuar asnjë adresim tjetër që nuk ka ofruar përgjigje lidhur me këtë situatë.

“Përndryshe, Agjencia kundër Korrupsionit me kompetencë dhe përgjegjësi profesionale, punon dhe vepron e përkushtuar në zbatimin sa më përpikëri të ligjeve bazike të Agjencise dhe gjithë legjislacionit në tërësi”, thuhet më tej.

Ndërsa, ish-kryesuesi i këshillit drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, tha për KALLXO.com se nuk ka koment për aksionin e organizuar të ORCA-s gjatë ditës së djeshme, pasi sipas tij, kjo organizatë e ka personale me të.

“Unë s’kam asnjë koment, pos që ai e ka personale dhe nuk mundet me marrë ligjin në dorë e me shantazhu njerëz, pse nuk i pëlqen që nuk i nënshtrohet dikush. Çështja e konfliktit është sqaruar nga organet kompetente. Ai vazhdimisht ka shpifur, vazhdon të shpifë, po Gjykata do t’i sqaroj këto punë se e ka kallëzim për shpifje. Pos kësaj ai ka filluar me m’u vërsul, kur s’kam pranuar më taku në një takim, andaj e ka kthyer në personale. Ai të vazhdon siç e mendon shantazhin, falë Zotit ka institucione tjera qe do t’i trajtojnë të gjitha. Nuk bie në nivelin e tij, tashmë po dihet qasja e tij selektive për t’i dëmtuar të tjerët”, tha Bajra për KALLXO.com.

KALLXO.com ditë më parë ka raportuar se ish-kryesuesi i këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ujkan Bajra, ka arritur të pranohet si profesor asistent i këtij Universiteti.

Ai u emërua në pozitën profesor asistent në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore nga Senati i UP-së me 5 abstenime.

Bajra kishte kandiduar për profesor asistent në FShMN në konkursin e 14 majit, ku mori vlerësim pozitiv nga komisioni vlerësues e rekomandim pozitiv nga këshilli i këtij Fakulteti, por ishte ndaluar në filtrin e fundit, në komisionin këshilldhënës të rektorit, pasi ata e kishin kërkuar një interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ish-kryesuesi i Këshillit Drejtues arrin të emërohet profesor asistent në UP

.