
Foto: KALLXO.com
Polici dëshmon në gjykimin për drogë
Oficeri i Policisë, Valon Bajqinca, ka dëshmuar në gjykimin për narkotik që po zhvillohet në Gjykatën e Prishtinës ndaj Lum Halimajt.
Dëshmitari tha se gjatë realizimit të planit operativ “Stop drogës!” kishin marrë informata se në afërsi të Fakultetit Filologjik, në Prishtinë, bëhej shitblerja e substancave narkotike.
Polici Bajqinca tha se kishin dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë parë se dy persona vazhdimisht kontaktonin dhe shkëmbenin atë që dyshohej se ishte substancë narkotike.
Pas kësaj, ai tha se e kanë përcjellë njërin nga personat i cili dyshohej se kishte blerë substanca narkotike.
Tek ai person, sipas dëshmitarit, ishin gjetur substanca narkotike dhe pas shoqërimit në Polici i njëjti ishte intervistuar dhe kishte treguar se narkotikun e ka marrë nga një person, duke dhënë përshkrim të detajuar të tij.
Po atë ditë, pas intervistimit, Valon Bajqinca tha se ishin kthyer përsëri në vendin e ngjarjes, ku edhe kanë parë personin i cili përshtatej me përshkrimin e bërë personi i ndaluar.
Pas legjitimimit, polici tha se kanë kuptuar se i dyshuari është Lum Halimaj.
Ndërsa në vendin ku ai ishte duke qëndruar kishin gjetur një qese më të madhe të plastikës, e në të ka pasur 20 qese të vogla, të mbushur me substancë narkotike.
I pyetur nga avokati, Jeton Osmani, nëse pas kontrollimit ishte gjetur diçka në trupin e Lum Halimajt, dëshmitari u përgjigj se nuk kishin gjetur diçka në trupin e të akuzuarit, “përveç në vendin ku ai ishte duke qëndruar”.
I pyetur nëse janë kontrolluar vijat papilare ashtu siç parashihet me dispozita ligjore, dëshmitari u përgjigj se nuk kanë bërë diçka të tillë.
Dëshmitari tha se nuk e dinte sa para janë gjetur te Lum Halimaj në momentin e ndalimit.
Lum Halimaj akuzohet për posedim të substancave narkotike.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lum Halimaj në tetor të vitit 2018 në lagjen “Ulpiana” ishte duke u dhënë diçka disa personave të tjerë. Gjënë që po ua jepte e kishte marrë nga një qese e aty pranë tij.
I njëjti është ndaluar nga Policia dhe aty afër tij është gjetur një qese më e madhe e plastikës në të cilën ka pasur 20 qese të vogla të plastikës, të mbushur me substancë narkotike me peshë të përgjithshme 53.4 gramë, e cila pas ekzaminimit është vërtetuar se është e llojit marihuanë.