Ilustrim: Kontroll e policise
Dosja e Prokurorisë: I pandehuri u ndalua nga Policia dhe në veturë iu gjetën narkotikë dhe para
Gazmend Domgjoni, i akuzuar për posedim të lëndëve narkotike, është ulur sot, më 25.07.2024, në bankën e të akuzuarve.
Gjatë seancës në Gjykatën e Prizrenit, prokurori Genc Nixha lexoi aktakuzën.
I pandehuri u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, lidhur me pranimin ose mospranimin e fajësisë.
I akuzuari tha se ndihet i pafajshëm për veprën e cila i vihet në barrë.
Seanca e udhëhequr nga gjyqtarja Ajser Skenderi vazhdoi me paraqitjen e provave.
Gjatë rrjedhës së seancës, prokurori Nixha u shpreh se do të vërtetohet që i akuzuari Gazmen Domgjoni ka kryer veprën penale.
Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Leonora Bytyqi Krasniqi, deklaroi se aktakuza e prokurorit të shtetit është e pabazuar e që do të vërtetohet nga provat se i pandehuri Gazmend Domgjoni nuk e ka kryer veprën penale që i ngarkohet nga Prokuroria, por që, njëherit, gjatë gjithë procedurës ai nuk e ka mohuar që posedimi i substancës narkotike ka qenë për konsum personal.
Me fjalët e avokates u pajtua edhe i akuzuari Gazmend Domgjoni.
Ndërsa, prokurori i shtetit i propozoi Gjykatës që të administrohet si provë edhe raporti që ka të bëjë me ekzaminimin e telefonit të të akuzuarit. Ngase, sipas tij, rezulton se në këtë telefon ka thirrje, kontakte, SMS, foto imazhe nga të gjitha aplikacionet dhe janë gjetur komunikime nga sim kartela “Ipko”.
Lidhur me këtë, mbrojtësja e të akuzuarit deklaroi ajo këtë provë nuk e ka pasur dhe nuk ështëpajisur, prandaj konsideroi se duhet të pajiset me patjetër për një mbrojtje sa më efektive.
Ndërsa, seanca e radhës u caktua të mbahet më 02.10.2024.
Në aktakuzën e Prokurorisë, e ngritur më 16.04.2024, thuhet se i pandehuri Gazmend Domgjoni më 26.01.2024 rreth orës 21:50, në Prizren, pa autorizim posedon me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa i pandehuri ishte duke drejtuar veturën, ndalohet nga ana e Policisë së Kosovës, me ç’rast brenda automjetit Policia i gjen dy qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë në peshë prej 2.78 gramë, si dhe një shumë parash prej dyqind e tetëdhjetë euro, të cilat dyshohen se janë përfituar nga kryerja e veprës penale.
Me këto veprime pretendohet që i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge.