ILUSTRIM Të burgosur në Burgun e Dubravës - Foto: KALLXO.com

Plani për rritjen e sigurisë në burgjet e Kosovës përfshinë 200 gardianë

200 gardianë të burgjeve të Kosovës janë të përfshirë në një plan i cili ka për qëllim rritjen e sigurisë nëpër burgje, luftimin e favorizimeve si dhe eliminimin e dukurive negative brenda burgjeve.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

Gashi ka shpjeguar se rrotacioni i brendshëm i gardianëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës do të bëhet në mënyrë që gardianët të kalojnë dhe të bëjnë roje e të mbajnë rendin në nëntë burgje, në këtë mënyrë të njëjtit do t`u ikin favorizimeve të të burgosurve.

“Rrotacioni do të zhvillohet kështu, për shembull, një gardian që ka qenë duke mbajtur rendin dhe ligjin në burgun e Dubravës ka kaluar në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe të njëjtin shembull e ke edhe me të gjithë gardianët e tjerë”, shpjegoi Gashi për KALLXO.com.

Sipas zëdhënësit Gashi ky ndryshim ka qenë i nevojshëm.

“Pas një kohe të gjatë analizash dhe diskutimesh kemi ardhur në përfundim se një rrotacion i brendshëm, i zyrtarëve korrektues nga një institucion në institucionin tjetër ka qenë i nevojshëm. Ky rrotacion bëhet vetëm për zyrtarët korrektues, të cilët mbajnë rendin dhe ligjin në institucionet korrektuese”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Një plan i tillë ishte ekzekutuar edhe me disa drejtorë të burgjeve.

“Sa ju përket drejtorëve të burgjeve, ne muaj me herët kemi bërë një rrotacion të ngjashëm edhe me drejtorët, veprim ky i cili ka rezultuar i suksesshëm”, shtoi Gashi.

Madje këtë plan të veprimit SHKK tani po e quan të domosdoshëm.

KALLXO.com, shumë herë kishte raportuar për favorizimet e keqpërdorimet në burgjet e Kosovës.

Dhjetëra gardianë të burgjeve të Kosovës janë suspenduar dhe arrestuar si pasojë e arratisjeve të të dënuarve e të paraburgosurve si dhe favorizimeve ndaj të burgosurve.

Në nëntor të vitit të kaluar, KALLXO.com kishe raportuar se si një gardian dhe një zyrtar i Ministrisë së Diasporës ishin arrestuar nën dyshimin se kishin bërë pazare për arratisjen nga Burgu i Sigurisë së Lartë i malazezit Mario Millosheviq.

Gardiani e zyrtari i Ministrisë së Diasporës dyshohen se bënë pazar për arratisjen e malazezit Mario Millosheviq

Një zyrtar i Ministrisë së Diasporës, dyshohet se i kishte dhënë 3 mijë euro një gardiani të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Burgun e Sigurisë së Lartë, si ryshfet për ta liruar një shtetas të Malit të Zi, të arrestuar muaj më parë nga Policia e Kosovës.

Dy gardianë ishin suspenduar dhe arrestuar edhe në maj të këtij viti. Kjo për arsye se një i paraburgosur ishte arratisur deri sa ishte nën mbikëqyrjen e tyre.

Madje shumë herë, burgu i Dubravës ka qenë cak i bastisjeve nga policia pasi në të njëjtin vend dyshohej se hynin gjëra të ndaluara siç janë telefona e drogë.

Në maj të vitit të kaluar një bastisje ishte kryer në po të njëjtin burg, dhe policia kishte arritur të konfiskoj telefona e tableta të dyshimta.

Bastisje në burgun e Dubravës, konfiskohen telefona e tableta të dyshimta

Zyrtari i Lartë i MD-së Arrestohet për Armëmbajtje

Suspendime për Ikjen e të Paraburgosurit

.