Foto: Facebook/Policia e Shtetit

Aktakuza: Referenti i Fakultetit mori ryshfet 5.000 euro

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës është ulur Ardian Jonuzaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve.

I pandehuri dyshohet se këto 3 vepra i ka kryer në cilësinë e referentit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Aktakuza thotë se më 20 mars 2018, Ardian Jonuzaj duke qenë zyrtar në shërbimin për student në Fakultet, duke e keqpërdorur detyrën e tij me qëllim të fitimit dobisë pasurore i kishte lëshuar tashmë të akuzuarit tjetër, në atë kohë studentit Agron Limanit, certifikatën e notave dhe certifikatën e diplomës me qëllim që i akuzuari Agron Limani të pajiset me diplomë.

Sipas aktakuzës, Ardian Jonuzaj kishte marrë 5.000 euro për lëshimin e këtyre dy certifikatave, me çka kishte kryer edhe veprën penale marrje ryshfeti.

Ndërsa pika tre e kësaj aktakuze e ngarkon Ardian Jonuzajn  për falsifikim e këtyre dy certifikatave të lëshuara.

Ndërsa i akuzuari i dytë Agron Limani sipas Prokurorisë ka kryer veprat penale – dhënie ryshfeti dhe falsifikim i dokumentave.

Agron Limani akuzohet se i kishte dhënë ryshfet shumën prej 5.000 euro të akuzuarit të parë për lëshimin e dy certifikatave të lartëpërmendura.

Po ashtu, sipas pikës dy të kësaj aktakuze, Agron Limani dy certifikatat e lëshuara nga tashmë i akuzuari Ardian Jonuzaj i kishte përdorur  me qëllim të marrjes së diplomës.

Seanca megjithatë nuk u mbajt.

Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti,  ishte ftuar në mënyrë të rregullt dhe e njëjta e kishte njoftuar Gjykatën se do të mungonte.

Gjykatësi i çështjes, Hamdi Ibrahimi, seancën  e radhës e shtyu për kohë të pacaktuar.

Të akuzuarve u është caktuar masa e lajmërimit në stacionin policor.