Gjykata Speciale jep detaje rreth ecurisë së gjykimit të Pjetër Shalës, 4 dëshmitarë dëshmuan nën masa mbrojtëse

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara në Hagë, mbajti konferencën javore të enjten, në të cilën u dhanë informacione lidhur me procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës.

Më 27 mars, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri dëshmitarin e parë, i cili rrëfente se babai i tij, mbështetës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte ndaluar dhe keqtrajtuar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri.

Prokuroria, mbrojtësi i viktimave, mbrojtja dhe gjykatësit i bën pyetje dëshmitarit.

Tutje u bë e ditur se dëshmitari i parë përfundoi dëshminë e tij më 28 mars, ndërsa dëshmitarja e dytë filloi të dëshmojë atë ditë për ndalimin dhe keqtrajtimin e pretenduar të bashkëshortit të saj në fabrikën e metalit në Kukës.

Sipas Griep, në seancën gjyqësore të 28 marsit, trupi gjykues miratoi kërkesën e Shalës për të marrë pjesë në gjykim përmes video-lidhjes nga objekti i paraburgimit.

Dëshmitarja e dytë përfundoi dëshminë e saj në 29 mars, ndërsa dëshmitari i tretë filloi të dëshmojë atë ditë për ndalimin dhe keqtrajtimin e pretenduar të babait të tij në fabrikën e metalit në Kukës.

Në seancën e sotme në gjykimin ndaj Shalës, dëshmitari i tretë përfundoi dëshminë e tij, ndërsa dëshmoi edhe dëshmitari i katërt i thirrur nga Prokuroria.

Gjatë kësaj jave u bë e ditur se të katër dëshmitarët në çështjen gjyqësore Shala i dhanë dëshmitë e tyre nën masa mbrojtëse, duke përfshirë ndryshimin e zërit dhe pamjes për të mbrojtur identitetin e tyre.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarëve, gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 1 maj, në ora 09:30.