Dështon për të dytën herë seanca ndaj ish-asamblistit të KK të Fushë Kosovës

Ish-këshilltari i Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, Beqir Ismaili, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë apo deklarim të rremë të pasurisë, nuk ka prezantuar në gjykimin ndaj tij, po ashtu nuk ishte prezent as prokurorja e rastit Ajshe Ferati, e as Avokati i tij Arsimi Bilalli.

Prezent ishte vetëm përfaqësuesja e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Lumnije Aliu.

Seanca e radhës u shyte në kohë të pa caktuar.

Sipas aktakuzës Beqir Ismaili, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik si këshilltar i  Kuvendit Komunal në Fushë Kosovë, ka bërë deklarim të rremë dhe nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.

Sipas  prokurorisë, Ismaili në formularin për deklarim të pasurisë, të datës 24.04.2020 në Agjencinë Kundër Korrupsion nuk ka deklaruar shumën e saktë të të hyrave vjetore të përgjithshme në vlerë prej 14 mijë euro, duke mos i raportuar pagat të cilat i ka marrë derisa ka qenë në marrëdhënie pune në Arabi e as pagën që e ka marrë si drejtor i Akademisë Diplomatike.

Me këto veprime ai po akuzohet se ka kryer veprën penale ‘mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë’.