Apeli kthen sërish në rigjykim rastin e plagosjes së katërfishtë në qendër të Pejës

Gjykata e Apelit për të dytën herë ka kthyer në rigjykim rastin e plagosjes së katërfishtë që kishte ndodhur dy vjet me parë në qendër të Pejës.

Në incidentin e 7 qershorit 2017 ishin plagosur Nexhdet dhe Bekim Kastrati, si dhe dy kalimtarë rasti.

Për këtë rast po akuzohen Gëzim Hoxha dhe dy djemtë e tij, Rrethimi dhe Rrezoni.

Gëzim, Rrezon e Rrethim Hoxha u shpallën fajtorë për vrasje të rënde mbetur në tentativë si dhe për armëmbajtje pa leje, duke u dënuar gjithsej me 8 vite e 6 muaj burgim.

Por gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për të dytën herë këtë çështje penale, duke anuluar aktgjykimin e shkallës se parë.

“Gjykata e shkallës së parë  nuk ka dhënë asnjë arsye se cilat ishin rrethanat veçanërisht lehtësuese qe është bazuar me rastin e shqiptimit të dënimit me burgim ndaj të akuzuarve, e po ashtu nuk janë aplikuar dispozitat për zbutjen e dënimit, ndërsa të akuzuarve iu ka caktuar dënimin nën minimumin e përcaktuar me ligj dhe pse të njëjtit nuk e kanë pranuar fajësinë, rezulton se aktgjykimi nuk përmban arsye për faktet vendimtare që kanë të bëjnë me vendimin mbi dënimin e që këto të meta e bëjnë aktgjykimin e gjykatës se shkallës se parë të paqëndrueshëm dhe të njëjtin duhet anuluar për çka edhe pamundësojnë vlerësimin e pretendimeve ankimore të Prokurorisë Themelore të Pejës dhe ankesave të mbrojtësve të akuzuarve” thuhet në arsyetimin e gjykatës se Apelit të siguruar nga KALLXO.com.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet ti evitoi shkeljet e cekura me lartë dhe ti vërtetoi e vlerësoi drejtë faktet relevante për matjen e dënimit, ti administroi provat e tjera, e me pas në përputhje me këto rrethana  të nxjerrë një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj.

Kamerieri Dëshmon për Plagosjen e Katërfishtë në Pejë